Maqedoni, familjarët e Remzi Hoxhës, peticion për zbardhjen e vrasjes

17/10/2015 17:55

Familjarët e Remzi Hoxhës, biznesmenit shqiptar nga Maqedonia të zhdukur 20 vite më parë në Shqipëri, kanë organizuar një peticion në Shkup, Prishtinë dhe Tiranë për zbardhjen e vrasjes së tij.

“Qëllimi ynë është që të zbardhet rasti i Remzi Hoxhës, i cili prej 20 vitesh është zhdukur dhe peticioni do t’i dorëzohet edhe kryeministrit të Shqipërisë”, ka deklaruar Gazmend Xhaferi, nga lëvizja studentore “Vetëdije”.

Përveç peticionit, për zbardhjen e këtij rasti do të organizohet edhe një marshim protestues.

“Protesta do të organizohet në tre kryeqendra. Në Shkup më 19 tetor 2015, në ora 10; në Prishtinë më 20 tetor dhe më pas në Tiranë. Presim që dalja të jetë shumë masive pasi edhe interesi për peticionin është shumë i madh”, ka thënë Xhaferi.

Biznesmeni shqiptar nga Maqedonia, Remzi Hoxha u rrëmbye 20 vjet më parë nga SHIK-u. Ai thuhet se ka vdekur nga torturat, ndërsa trupi i pajetë i tij është zhdukur. Për vrasjen e Remzi Hoxhës, familjarët e tij e akuzojnë ish-kryeministrin shqiptar Sali Berisha.

Top Channel