Britani, shifra alarmante të trafikimit të fëmijëve shqiptarë

18/10/2015 00:00

Prestigjiozja britanike “The Guardian”, e Londrës, njofton për shifra alarmante të fëmijëve shqiptarë, që pasi trafikohen në Britani detyrohen të punojnë si skllevër.

Sipas shifrave të marra nga shoqata e bamirësisë, “Barnardo”, që merret me mbrojtjen e fëmijëve dhe që bashkëpunon me Ministrinë e Brendshme “Home Office” për të mbrojtur fëmijët, viktima të trafikimit, po rritet me rritme alarmante numri i fëmijëve që vijnë nga Shqipëria në Britani, shpesh në mënyre vullnetare, por që më pas përfundojnë të shfrytëzuar.

Javed Kahn, shef ekzekutiv i kësaj organizate bamirësie, që mbron të drejtat e fëmijëve, deklaron se “vlerësimet e tanishme të numrit të fëmijëve të trafikuar në Britani janë vetëm maja e ajsbergut”.

“The Guardian” e Londrës bën të ditur se, një pjesë e fëmijëve të mbërritur detyrohen të punojnë, shpesh në objekte ndërtimi, por shumica shfrytëzohen për aktivitete kriminale.

Sipas një vlerësimi të skemës që merret me mbrojtjen e fëmijëve të trafikuar në Britani, skemë e cila po pilotohet në tre rajone të Britanisë së Madhe, sugjerohet se fëmijët shqiptarë përbëjnë një të tretën e të gjithë fëmijëve të trafikuar në Britani. Ata vijnë të dytët pas fëmijëve vietnamezë dhe, nëse ky trend ardhjesh vazhdon, ata së shpejti do t’ua kalojnë vietnamezëve për nga numri.

Përpara 5 vitesh – shkruan “The Guardian”, – fëmijët shqiptarë nuk ishin një grup me rrezikshmëri të veçantë.

Është fakt se ka një rritje mjaft të madhe të fëmijëve dhe minorenëve, që mbërrijnë në Britani për të kërkuar azil për gjakmarrje, orientim seksual apo nga frika e pretenduar e indoktrinimit ekstrem fetar.

Sipas rregullave aktuale, minorenët qëndrojnë në Britani deri në moshën 18-vjeçare dhe një pjesë riatdhesohen.

Top Channel është në dijeni se, një numër të rinjsh edhe nën moshë janë arrestuar nga policia vitet e fundit, si të përfshirë në tregtinë e drogës, kryesisht duke punuar nëpër shtëpitë ku kultivohet kanabis, apo si korrierë të lëndëve narkotike.

Ndërkohë që shumica dërrmuese janë fëmijë të mbarë, që shkojnë nëpër kolegje e janë nën kujdesin e shërbimeve sociale dhe shoqatave të komunitetit shqiptar në Britani.

Top Channel