Turqi, kërcënon Davutoglu: Nuk do hezitojmë të rrëzojmë edhe avionë

18/10/2015 00:00

Turqia nuk do të hezitojë të qëllojë avionët, që do të shkelin hapësirën e saj ajrore. Këtë e tha të shtunën kryeministri Ahmet Davutoglu, një ditë pasi vendi anëtar i NATO-s rrëzoi një “drone” të paidentifikuar pranë kufirit me Sirinë.

Avionë sirianë, rusë dhe të koalicionit anti-ISIS të drejtuar nga SHBA-të po zhvillojnë misione luftarake ajrore në Siri, pranë kufijve të Turqisë. Incidenti i “drone”-it nxjerr në pah rrezikun e përfshirjes së Turqisë, vend që ka ushtrinë e dytë më të madhe të NATO-s, në një konfrontim ushtarak.

Më herët gjatë këtij muaji, Turqia dënoi ashpër Rusinë, pas verifikimit të dy rasteve të shkeljes së hapësirës ajrore nga ana e avionëve të saj.

“Ne rrëzuam një ‘drone’ të premten. Nëse do të ishte avion do të bënim të njëjtën gjë. Rregullat tona janë të qarta. Kujtdo që do të shkelë kufijtë tanë, ne do t’i japim përgjigjen e nevojshme”, tha Davutoglu.

Turqia po zhvillon hetime për të zbuluar se nga ka ardhur ky “drone”. Sipas një zyrtari amerikan, origjina e tij ishte ruse, por Ministria e Mbrojtjes në Rusi e mohoi këtë gjë, duke thënë se të gjithë avionët e tyre në Siri ishin kthyer në bazë dhe nuk po operonte asnjë “drone”.

Ushtria turke tha se kishte qëlluar mjetin fluturues pa pilot, pasi ai vijoi të përshkonte të njëjtin itinerar, pavarësisht 3 paralajmërimeve, siç e kërkojnë edhe rregullat e shtetit turk.

Televizioni “NTV” bëri të ditur se “drone” kishte depërtuar 3 km në hapësirën ajrore turke. Ministria ruse e Mbrojtjes njoftoi të premten se, kishte vendosur kontakte të drejtpërdrejta me ushtrinë turke për të evituar incidente me fluturimet pranë kufirit.

Top Channel