Filipinet preken nga tajfuni “Kopu”, mijëra të evakuuar

18/10/2015 00:00

Banesa të rrafshura, linja elektrike të rrëzuara dhe mijëra të evakuuar. Është ky bilanci paraprak i dëmeve të shkaktuara nga Tajfuni “Kopu”, i cili goditi të dielën Filipinet veriore.

Sipas autoriteteve, dallgë deri në 4 metra lartësi pritet të përplasen në bregdet. Tajfuni, i cili po lëviz shumë ngadalë, preku tokën pranë qytetit të Casiguran, në ishullin e Luzon, të dielën në mëngjes.

Ai parashikohet të qëndrojë 3 ditë në vend, duke sjellë shira të dendur, përmbytje e me shumë gjasa rrëshqitje dheu.

Alexander Pama, kreu i agjencisë kryesore të katastrofave tha se, rreth 10 mijë njerëz ishin evakuuar nga banesat e tyre në verilindje të Luzonit, por deri më tani nuk ka raportime për viktima. Ai tha se ishin njoftuar për shtëpi të shkatërruara e për shumë pemë të rrëzuara, që po bllokojnë kalimin në rrugët kryesore.

Autoritetet shprehen të shqetësuara për lëvizjen e ngadaltë të stuhisë, çka do të bëjë që shirat intensive të zgjasin, dhe shpresojnë në përshpejtimin e saj. Tajfuni “Kopu”, i njohur nga vendasit me emrin “lando”, ka përfshirë një zonë prej 650 km dhe po sjell erëra me shpejtësi deri në 250 km në orë.

Fluturimet dhe lëvizja e trageteve në veri është anuluar. Në zonat malore është pezulluar gjithashtu edhe qarkullimi i autobusëve, për shkak të rrezikut të rrëshqitjes së dheut. Për herë të parë, që prej tajfunit “Hajan” në 2013-n që shkaktoi më shumë se 6300 viktima, Presidenti i vendit, Benigno Aquino mbajti një fjalim paralajmërues në televizion.

Ai u kërkoi qytetarëve të ndjekin udhëzimet e qeverisë dhe të jenë të gatshëm të evakuohen nga banesat, nëse do të jetë e nevojshme. Duke folur në Manila, një përfaqësuese e UNICEF tha për median britanike BBC se, banorët në zonat më të prekura duhe të jenë të përgatitur për rreth 72 orë izolim, aq sa do t’i duhet tajfunit të kalojë.

Sipas saj, çdo mundësi transporti do të jetë ekstremisht e vështirë. Reshjet e shiut kanë arritur edhe në kryeqytetin Manila, por gjithsesi aty nuk pritet që erërat të jenë aq të forta, sa të shkaktojnë dëme.

Top Channel