PD, Boçi: Prokuroria të hetojë korrupsionin me tenderat

18/10/2015 00:00

Në një tjetër deklaratë për median, këtë herë nga deputeti demokrat Luçiano Boçi, selia blu ka vijuar me denoncimin e aferës së korrupsionit të kryeministrit, siç e cilësojnë ata, me ndërtuesin e sarajeve të tij, edhe pse nuk ka dhënë ende asnjë shpjegim për korrupsionin me paratë e OSHEE-së, që i mori ndërtuesi i afërt me të, edhe pse kishte ofertën më të lartë.

“Korrupsioni me tenderat për ndërtim godinash, ku fituesi është i paracaktuar dhe është Carapuli i tij, po shfaqen gjithandej. Ndërtuesi i sarajeve të Edi Ramës paraqet ofertën më të lartë, mundësisht aq sa është fondi limit, dhe shpallet sërish fitues. Edhe më skandaloze është çështja, kur fondi i vënë në dispozicion për ndërtuesin e Ramës zmadhohet e fryhet, në mënyrë që fitimi i tij të jetë i majmë”, denoncon deputeti Boçi, duke shtuar se diçka e tillë ka ndodhur edhe me tenderat e Ministrisë së Arsimit.

Përmes një dokumenti të shfaqur gjatë deklaratës, Boçi ka treguar sesi shpallet fitues firma “Eurocol” i Carapulit të Ramës, duke u skualifikuar të gjithë ofertuesit e tjerë me shuma shumë më të vogla. Sipas dokumentit, ndërtuesi i Ramës ka ofruar 99,2 për qind të fondit limit, 5 mld lekë, ndërkohë që garuesit e tjerë kanë pasur oferta më të ulëta, nga 4 mld deri në 4,8 mld lekë.

I njëjti veprim, sipas deputetit Boçi, është përsëritur edhe me OSHEE-në, një rast korrupsioni i neveritshëm, zhvatjeje parash të qytetarëve përmes kërbaçit, burgut dhe jetëve të shumta të qytetarëve.

“Partia Demokratike i kërkon Prokurorisë të hetojë këto raste skandaloze të shkeljes së ligjit dhe procedurave në tendera, këto raste të pastra të korrupsionit, kur paratë publike shkojnë gjithnjë te miku i Edi Ramës, i njohur botërisht si ndërtuesi i sarajeve të tij në Surrel”, ka përmbyllur deklaratën deputeti demokrat.

Top Channel