Tiranë, bllokohet bulevardi. Përurohet parkimi dhe nisma “Tirana dhuron”

18/10/2015 00:00

Tirana ka pasur këtë të diel, një tjetër ditë me kufizim të qarkullimit të makinave. Bulevardi kryesor i Tiranës i është dedikuar vetëm këmbësorëve dhe pedaluesve të biçikletave.

Përgjatë aksit kryesor të qendrës së kryeqytetit, përveç një serie aktivitetesh janë vendosur edhe koshat e dhurimit.

Të gjithë donacionet e qytetarëve të Tiranës do të shkojnë për qendrat e njerëzve në nevojë, sqaroi Bashkia e Tiranës. Nisma “Tirana dhuron” është një formë edhe e përkujtimit të Nënë Terezës me vepra konkrete, në prag të ditës së lumturimit të saj, sqaroi më tej bashkia.

Në ditën pa makina, Bashkia ka inaguruar edhe parkimin e ri publik në sheshin “Italia”. Ky parkim, në krah të stadiumit “Qemal Stafa”, – tha kryebashkiaku Erion Veliaj, – do të jetë me pagesë dhe të ardhurat do të shkojnë për investime publike në Tiranë.

Dita pa makina është gërshetuar gjithashtu edhe me marshimin kundër kancerit të gjirit.

Kryebashkiaku tha se, këto nisma kanë synimin e ndryshimit të kulturës së jetës e kuptimit të vlerës së saj, por dhe rritjen e cilësisë. Erion Veliaj paralajmëroi zhvillimin e shpeshtë të ditëve pa makina. Një herë në muaj, deri në çdo javë, janë mundësitë që po shihen nga bashkia.

I vetëdijshëm për trafikun e Tiranës dhe vështirësitë e mëdha të qytetarëve që lëvizin me makina, kryebashkiaku tha se, kjo nuk është një betejë kundër drejtuesve të automjeteve. Në ditën pa makina – tha ai, – është provuar se ndotja ulet nën kuotat e vendosura nga Bashkimi Europian.

“Faleminderit për kontribuesit që e kanë bërë Tiranën në histori suksesi. Sot është dita e dytë dhe shpresojmë që ta shpejtojmë në të paktën dy herë në muaj. Është dita e dytë që sipas të dhënave të ndotjes së ambientit tregojnë një ulje të ndjeshme të ndotjes në ajër. Dita pa makina e sotme përkoi edhe me ditën e sensibilizimit me luftën kundër kancerit të gjirit, në betejën e tyre kundër kësaj sëmundjeje tumorale me më shumë kontrolle mamografie. Shumë prej aktivistëve sot u morën me pedalime, e shumë aktivitete të tjera, sikurse edhe me koshat e dhurimit në Tiranë të menaxhuar nga këta aktivistë. Gjithnjë do të ketë njerëz të varfër dhe të pasur, siç edhe ka, ndërkohë që gjithnjë ata që japin vlerësohen për zemërgjerësinë e tyre, sepse më shumë fitojnë ata që japin sesa ata që marrin. Suksesi i kësaj dite të dytë do të vijojë pse jo të përshkallëzohet gjatë ditëve të ardhshme të ditëve pa makina, derisa ta kthejmë në një traditë që qytetin të mos ua përshtasim makinave, por njerëzve dhe banorëve të tij që duan të jetojnë me një ajër më të pastër dhe me një jetë më të shëndetshme. Falënderoj edhe mediat për mbështetjen dhe durimin gjatë aktiviteteve të sotme”, tha kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj.

Top Channel