Emigrantët, Stylianides: T’i bëjmë ballë krizës, pavarësisht nga kalojnë

18/10/2015 00:00

Dimri mund të sjellë një devijim të udhëtimit të refugjatëve edhe përmes Shqipërisë, pasi futen në Greqi. Megjithatë, për komisionerin europian të Emigracionit, nuk ka shumë rëndësi rruga nga ata kalojnë.

Në një intervistë për Top Channel, ai tha se “ne duhet të gjejmë zgjidhjen në burim dhe të angazhohemi të gjithë për ta menaxhuar situatën, pavarësisht vendeve që prek kriza”.

TCH: Komisioner, ndërsa ju shqyrtoni shkaqet e rrugëve që ndjekin emigrantët për të ardhur në Europë, qeveria shqiptare përgatit ngritjen e strukturave në rastin e kalimit të refugjatëve. A prisni ndryshim të rrugës ballkanike gjatë muajve të ardhshëm të dimrit dhe, sa gjasa ka realisht për kalimin e refugjatëve nga Shqipëria?

Christos Stylianides, komisioner i BE-së për çështjet e brendshme dhe emigracionin: Për ne, gjëja më e rëndësishme është që t’i bëjmë ballë kësaj krize gjithandej, pavarësisht korridorit (shënim: ballkanik). Siç e dini, unë e theksoj shpesh se është shumë e rëndësishme, që ne të merremi me shkaqet e rrugëve të refugjatëve. Është një detyrim moral për ne, që të trajtojmë këtë krizë refugjatësh, pavarësisht se ku shfaqe: në Serbi, në Shqipëri, në ish-Republikën Jugosllave të Maqedonisë, në vende të tjera europiane, apo në vendet fqinje të krizës si Turqia, Libani, Iraku, Jordania dhe sigurisht Greqia. Për këtë arsye, siç mendoj unë, ne duhet të fokusohemi te shkaqet e rrugës së ndjekur dhe njëkohësisht t’u vimë në ndihmë refugjatëve, duke u ofruar atyre të paktën shërbimet bazë.

TCH: Duke marrë parasysh se pjesa dërrmuese e azilkërkuesve nga Ballkani janë shtetas shqiptarë, a keni ndonjë vërejtje apo këshillë ndaj autoriteteve shqiptare, për mënyrën e trajtimit të kësaj çështjeje dhe veçanërisht nëse vendi përballet me një valë refugjatësh?

Christos Stylianides: Jam mëse i sigurt se, çdo vend e di shumë mirë se me cilat autoritete dhe me çfarë kompetencash do të përballojnë vështirësitë e terrenit. Unë nuk jam këtu për të dhënë këshilla ndaj asnjërit dhe jam i sigurt se, nëse ne do të hasim probleme specifike me Shqipërinë, ne do të merremi së bashku me këtë dhe do ta trajtojmë atë bashkë. Për ne, detyrimi moral qëndron te lehtësimi i vuajtjeve të njerëzve dhe krijimi i mjedisit për ta gjithandej.

Përgatiti: Arta TOZAJ

Top Channel