“Marrëveshja e përgjakshme”, Bush-Blair vendosën fatet e Irakut një vit para sulmeve

18/10/2015 16:55

Pushtimi i Irakut në vitin 2003 është rikthyer në fokusin ndërkombëtar, pasi të dhëna të reja tregojnë se fati i tij ka qenë i paracaktuar.

Si një çështje delikate, e cila mban nismën dhe firmën e ish-presidentit amerikan George Bush, së fundmi ka disa fakte të cilat hedhin dritë mbi atë që Bush kërkonte me doemos të realizonte: Pushtimin e Irakut me këmbënguljen se aty ishin të lokalizuara armë të një rrezikshmërie të lartë.

Marrëveshja për pushtimin e tij është nënshkruar nga Tony Blair dhe George Bush, një vit përpara sulmeve. Një dokument zyrtar i Shtëpisë së Bardhë i zbardhur dhe i publikuar nga “Daily Mail”, zbulon atë që cilësohet si “marrëveshja e përgjakshme” e firmosur nga ish-kryeministri britanik dhe ish-presidenti amerikan. 

Në këtë dokument bëhet i ditur aprovimi i Tony Blair për ofensivë ushtarake në Irak, ndërkohë që nga ana tjetër trumbetonte për zgjidhje politike dhe diplomatike. Votuesve të tij Blair u thoshte: “Ne nuk propozojmë ndërhyrje ushtarake”. Por në kontrast, në email është i qartë aprovimi që Blair i bënte planit të paracaktuar të Bush, çka i hapi rrugë Shteteve të Bashkuara për të vazhduar me strategjinë e tyre në Irak, pasi Britania e Madhe njihet si ndër aleatet kryesore të tyre.

Në këtë email, i cili është shkruar nga ish-sekretari amerikan i Shtetit, Colin Powell, drejtuar presidentit të tij, Bush,  ai i bënte të ditur shefit të Shtëpisë së Bardhë se në ditët në vijim ata do të prisnin në Crawford ish-kryeministrin britanik, Tony Blair. Në parantezë, Powell i shpjegonte George Bush se cilat do të ishin pikat kryesore të takimit të tyre.

“Blair vazhdon të jetë në krahun e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, teksa në vazhdojmë luftën tonë kundër terrorizmit në Irak. Ai do ju paraqesë ju strategjinë e tij, taktikat dhe linjat që Tony Blair vetë gjykon se do te forcojnë angazhimin global për kauzën tonë të përbashkët”, shkruhej në email.

Në email nuk përmendej asnjë zgjidhje diplomatike për Irakun, në kontrast me premtimet e Tony Blair, çka flet për prapaskena mes dy liderëve.

“Përsa i përket çështjes së Irakut, ai është në krahun tonë, dhe do të ndërhyjë  ushtarakisht nëse do te jetë e nevojshme. Ai është i fokusuar në 2 pika: E para që kërcënimi është i vërtetë, dhe së dyti , beteja kundër Sadam Hysein do të korrë më shumë sukses”.

Këto dokumente mbajnë datën e prillit të vitit 2002, ndërkohë që ofensiva ushtarake në Irak filloi një vit më vonë, pikërisht në mars të vitit 2003. Skandali në SHBA, pason atë të mëparshmin, i cili ka në qendër pikërisht kandidaten për presidente, Hillary Clinton. Por ky u bë edhe shkaku për zbulimin e radhës, pasi  vendimi i gjykatës amerikane për zbardhjen e email-eve të ish-sekretares së Shtetit, Clinton , i hapi rrugë autoriteteve përkatës verifikimin e mijëra dokumenteve.

Presidenti George Bush në ato vite kërkonte me doemos aleate për pushtimin e Irakut, duke nxitur vendet e tjera të bashkoheshin, duke kërkuar edhe miratimin e këshillit të sigurimit të OKB-së, skenar që hasi kontestime të forta nga Kina dhe Rusia. Por sikurse shkruajnë mediat britanike, ky konspiracion i krijuar se fundmi dhe i zbardhur nga “Daily Mail”, do t’i hapë rrugë hetimit të luftës në Irak.

Top Channel