Festivali i muzikës së dhomës “Different Trains”, vjen në edicionin e tij të katërt nga data 19-26 tetor. Ai do të zhvillohet në Tiranë mes Universitetit të Arteve e Teatrit Kombëtar dhe më datë 24 në Teatrin “Andon Zako Çajupi” të Korçës.

Janë 10 muzikantë nga shtete të ndryshme, si Shqipëria, Rusia, Shtetet e Bashkuara, Greqia, Zvicra, Franca, Gjermania dhe Italia. Pjesëmarrje kjo më e madhe se vitet e kaluara.

“Repertori që do të luhet është më standard këtë vit, ndërsa vitet e tjera jemi përqendruar në veprat e kompozitorëve të mëdhenj”, shprehet Vlorent Xhafaj, violonçelist.

Mes pjesëmarrësve ka artistë të njohur botërisht si violinisti Ilya Gringolts dhe violonçelisti Leonid Gorokhov.

“Do të luajmë të hënën një program shumë të bukur. Do të nisim me Mendelson, pastaj Martinu dhe Dvorak”, thotë Gorokhov.

“U ftova këtu nga miku im violinisti Ilya Gringolts. Jam i lumtur që marr pjesë në të njëjtin koncert me të. Më pëlqen gjithashtu që të luaj muzikë dhome me partnerë të rinj. Muzikantët e mirë të japin gjithmonë ide dhe eksperienca të mira dhe ky është një rast i tillë.

Ka artistë shqiptarë që vijnë për herë të parë në Shqipëri, si violinistja Areta Zhulla, e cila jeton në SHBA.

“U lumturova kur me telefoni Vlorent Xhafaj për të marrë pjesë në këtë festival, sepse shumica e koncerteve do të zhvillohen këtu në Universitetin e Arteve, vend ku babai im Lefter Zhulla ka studiuar për violinë. Unë do të luaj gjatë të gjithë ditëve të Festivalit”, shprehet Areta Zhulla, violiniste.

Përpos shfaqjeve, “Different Trains” sjell edhe mundësi zhvillimi për instrumentistët e rinj.

“Ndërmjet artistëve do të ketë edhe disa profesorë që japin mësim në disa shkolla të rëndësishme”, shprehet Xhafaj.

“Masterclass do të bëhet në Universitetin e Arteve të martën në mëngjes. Jam i gëzuar që do të takoj violonçelistë të rinj shqiptarë. Ka shumë talente në vendin tuaj”, thotë Gorokhov.

Sikurse çdo vit, edhe në këtë edicion “Different Trains” do të ketë suport mediatik nga Top Channel.

Top Channel