Lewandowski: Mos më krahasoni me Messin dhe Ronaldon

19/10/2015 10:40

Robert Lewandowski prej javësh ka pushtuar faqet e para të mediave për rendimentin e tij kohët e fundit. Sulmuesi polak i Bayern Munchen, që pas “manitës” së famshme ndaj Wolfsburgut, ka shënuar rregullisht, duke bërë që të nisin edhe krahasimet mes tij dhe dy yjeve të futbollit botëror: Lionel Messi dhe Cristiano Ronaldo.

Por 27-vjeçari nuk e ka pranuar këtë krahasim, madje ka kërkuar që media të ndalet.

“Unë, Messi e Ronaldo jemi futbollistë që luajmë në pozicione të ndryshme. Cristiano luan në të majtë, Messi në qendër, ndërsa unë jam më përpara. Sigurisht, nuk jam futbollist që pres 90 minuta për të marrë një top, por marr pjesë në lojën e skuadrës, sepse e dëshiroj një gjë të tillë. Futbolli është një lojë skuadre. Ne të gjithë punojmë mirë së bashku dhe kjo e lehtëson punën time”, shpjegoi sulmuesi.

Lewandowski ka shënuar 12 gola në 8 ndeshje të Bundesligës dhe për shumë persona ai po vendos kandidaturën për fitimin e Këpuicës së Artë, por polaku tha se është ende herët për të menduar këtë trofe, pasi gjithçka do të vendoset në fund të sezonit dhe se për të ajo që ka më shumë rëndësi është ndeshja e radhës.

Top Channel