Basha: Nënë Tereza, njeriu që sakrifikoi për të varfërit

19/10/2015 10:45

Kreu i PD, Lulzim Basha ka marrë pjesë këtë të hënë në aktivitetin e organizuar nga Bashkia e Lezhës për Nënë Terezën.

“Nënë Tereza ishte një njeri me shpirt të madh, që sakrifikoi për të varfërit”, është shprehur Basha në fjalën e tij.

Sot, ka vijuar kreu i opozitës, duhet të reflektojmë për të mbështetur njëri-tjetrin. “Në qoftë se kujdesemi për njëri-tjetrin, në qoftë se mendojmë për fatin e njëri-tjetrit, jo vetëm për fatin tonë, veçanërisht ne njerëzit e vendimmarrjes, vendore apo qendrore të politikës, atëherë nuk ka vështirësi që nuk tejkalohet dhe nuk ka problem që nuk zgjidhet”, ka thënë Basha.

Deklarata e plotë e kryetarit të PD

“Po të bëhemi prapë bashkë rreth të mirës do të dimë t’i themi ndal të keqes që po na gërryen ditë për ditë në siguritë tona, mirëqenien tonë, në shëndetin tonë dhe të fëmijëve tanë. Kjo është një ditë ku shumë prej nesh në Lezhë dhe anembanë Shqipërisë mendohemi, reflektojmë për ditë të vështira që janë ulur këmbëkryq në mijëra vatra familjare shqiptare.

Shqiptarja e madhe që u nderua me çmimin Nobel për Paqen u ka dhënë një shembull të madh, jo vetëm të krishterëve anembanë botës,jo vetëm shqiptarëve nga gjiri i të cilëve ndodhet, por gjithë civilizimit, shembullin se me forcën e shpirtit nuk ka gjë që nuk tejkalohet!

Kjo forcë e shpirtit, duhet për të kuptuar dhe për të besuar, për të qenë të bindur se në qoftë se kujdesemi për njëri-tjetrin, në qoftë se mendojmë për fatin e njëri-tjetrit, jo vetëm për fatin tonë, veçanërisht ne njerëzit e vendimmarrjes, vendore apo qendrore të politikës, atëherë nuk ka vështirësi që nuk tejkalohet dhe nuk ka problem që nuk zgjidhet.

E keqja e të keqes, është kur pushon, ndal së kujdesuri, së shqetësuari për fatin e njerëzve. Por ama kur zemrën e ke të hapur dhe të frymëzuar, nga dashuria për njeri-tjetrin, nga besimi që bashkë mund t’ja dalim dhe mund të zgjidhim edhe probleme më të mëdha, atëherë nuk ka asgjë që nuk mund të zgjidhet.

E dimë këtë në kohërat më të vështira të kombit tonë kur një grusht burrash u mblodhën bashkë këtu në Lezhë, ia dolën dhe i bënë ballë për një kohë të gjatë fuqisë më të madhe, rrebesheve më të mëdha të kohës këtu në Lezhë. E pra, po të bëhemi prapë bashkë rreth të mirës, do të dimë ti themi ndal të keqes që po na gërryen ditë për ditë në siguritë tona, mirëqenien tonë, në shëndetin tonë dhe të fëmijëve tanë.

Të bëhemi bashkë pa asnjë dallim kundër të keqes, ta flakim të keqen, të përqafojmë të mirën e të ecim përpara! Ky është reflektimi që më ndrin sot në shpirt teksa emocionohem dhe gëzohem në këtë përkujtim të të bekuarës Nënë Terezë!”.

Top Channel