Dialogu për krizën, opozita pranon ftesën e Jahjagës por nuk ndryshon kushtet

19/10/2015 13:50

Ashtu siç e kanë nisur betejën për rrëzimin e marrëveshjeve me Serbinë dhe Malin e Zi, ashtu edhe do ta vazhdojnë.

Udhëheqësit opozitarë të Lëvizjes Vetëvendosje, AAK-së dhe Nismës për Kosovën kanë vendosur t’i përgjigjen pozitivisht ftesës së Presidentes Atifete Jahjaga dhe do të paraqiten bashkë në takim.

Por, në kohën kur nga ky takim kanë mbetur më pak se 24 orë, opozita deklaron se nuk do të tërhiqet nga kërkesat e saj. Zgjidhja, sipas kreut të Vetëvendosjes, Visar Ymeri, është në duart e kryeministrit Isa Mustafa, në mënyrë që të tërhiqet nga marrëveshjet.

“Sipas të gjitha gjasave do të shkojmë nesër. E rëndësishme është, që ne do të paraqitemi bashkë. Ne kemi një porosi jashtëzakonisht të veçantë për Presidenten Jahjaga, por edhe për të gjithë të tjerët. Këto qëndrime të opozitës së bashkuar janë qëndrime, të cilat janë në mbrojtje të Kosovës dhe as nuk janë çështje kompromisi dhe dialogu. Përgjegjësinë e secilit në këtë situatë e kemi të përcaktuar, është përgjegjësi e qeverisë që ta mbrojë Republikën dhe, nëse ajo nuk e bën këtë, atëherë duhet të dorëhiqet si qeveri”, tha Visar Ymeri, kryetar i Lëvizjes Vetëvendosje.

Në konferencën e veçantë për media, deputeti i AAK-së, Pal Lekaj bëri të ditur se takimi është caktuar të mbahet të martën në orën 9:30.

“Qëndrimi ynë është po ai që kemi pasur. Nuk do të lëvizim asnjë presje nga ajo që kemi thënë. Së pari, largim nga marrëveshja, pastaj bisedime në tryezë. Arsyeja pse po shkojmë së bashku është sepse kemi një platformë të përbashkët, për sa i përkët këtyre dy çështjeve dhe për këtë nuk do të ndahemi nga asnjë takim”, tha Pal Lekaj, deputet i Kuvendit të Kosovës nga radhët e AAK-së.

Do të jetë takimi i së martës mes Presidentes Jahjaga dhe opozitës, që do ta përcaktojë nëse udhëheqësit opozitarë do të ulen në tryezën e përbashkët edhe me kryeministrin, Isa Mustafa, të paralajmëruar nga Presidentja e Kosovës.

Top Channel