Reforma në drejtësi, Hajdari: Prokurorët do të mbajnë përgjegjësi për dështimet

19/10/2015 15:30

Kur prokuroria që përfaqëson shtetin si palë në gjyqe, po dështon në vijimësi për çështje të bujshme, duke marrë pushim gjykimi apo pafajësi për të pandehurit, kreu i shoqatës së prokurorëve Shkëlqim Hajdari mendon se tashmë përgjegjësia për këto dosje duhet të adresohet tek mënyra se si kryhen hetimet. 

Gjatë një interviste për Top Channel prokurori i Apelit pohon se reforma e cila do të prekë edhe institucionin e akuzës, pritet të sjellë risi, të cilat në rast humbjeje të çështjes, e ngarkojnë direkt me përgjegjësi prokurorin e dosjes përkatëse. 

“Kur ne themi që ne i çojmë në gjyq, kurse gjykata me të drejtën e saj ligjore i jep pafajësi. Unë mendoj se në ndryshimet e pritshme, me inspektoratet që krijohen për kontrollin e punës së prokurorisë dhe gjyqësorit, do të marrë fund dhe kjo histori. Do të ketë shumë kujdes se një prokuror që të marrë pafajësi për një çështje do të shikohet profesionalisht. Kurse një gjyqtar që do të japë pafajësi, kur provat janë të plota, fajësia është tërësisht e vërtetuar, do ta ketë shumë të vështirë”, thotë Hajdari.

Për prokurorin Hajdari reforma në fakt duhet të nisë pikërisht nga prokuroria.

“Reforma në tërësi është shumë e rëndësishme për vendin tonë, ndërsa reforma në prokurori është pjesa më e rëndësishme e reformës në tërësi. Pasi sfidën e integrimit dhe plotësimin e kritereve për të luftuar krimin e organizuar dhe korrupsionin nëpërmjet reformës në drejtësi, nuk e kanë organet kushtetuese, nuk e ka vetëm gjyqësori, por kryesori është institucioni i prokurorisë dhe prokurorët shqiptarë. Janë këta njerëz që do hetojnë që nga krimi ordiner e deri te krimi i organizuar dhe zyrtarët e lartë”, thotë ai.

Në dokumentin analitik për prokruorinë u evidentuan si probleme edhe politizimi i procesit të përzgjedhjes së Prokurorit të Përgjithshëm dhe mungesa e pavarësisë së prokurorëve në hetim, puna e të cilëve konsiderohet e centralizuar. E ndërsa emërimi e promovimi i prokurorëve u konsiderua në dokument se nuk bëhet mbi baza profesionale pasi roli i këshillit të Prokurorisë shikohet si i papërfillshëm. Për këtë, në ndryshimet e pritshme, deklarohet tjetërsimi i Këshillit të Lartë të Prokurorisë, të cilit i jepen kompetenca të plota jo vetëm për emërimet e prokurorëve por edhe për të nominuar emrin e kandidatit për Prokuror të Përgjithshëm.

Top Channel