Sëmundjet e reja të fëmijëve

19/10/2015 16:30

Anoreksia dhe kolesteroli i lartë nuk janë më sëmundje që prekin vetëm të rriturit. Shoqata italiane e pediatrisë raporton me shqetësim një rritje të ndjeshme të numrit të të miturve tek të cilët vihen re probleme që deri para një duzinë vitesh i përkisnin ekskluzivisht të rriturve.

Ndër to listohen veç dy të parave edhe diabeti, hipertensioni apo luhatjet e forta të humorit. Shkaku kryesor i fenomenit alarmues kërkohet tek stili i jetesës së më të vegjëlve, që shpesh ushqehen e nuk bëjnë mjaftueshëm lëvizje.

23% e fëmijëve të moshës 8 deri në 9 vjeç në Itali llogaritet të jenë në mbipeshë dhe nga kjo burojnë shumë probleme. Nga kontrollet rezulton se të paktën 4% e nxënësve të shkollave fillore kanë probleme me tensionin e lartë; një nga arsyet për këtë besohet të jenë ushqimet tepër të kripura që konsumojnë.

Në mbështetje të pohimeve të tyre, mjekëve italianë u vjen edhe një studim i spitalit “Henry Ford” në Detroit, i cili tregon se mënyra e të ushqyerit e madje edhe përdorimi i tepruar i internetit mund ta shtojnë rrezikun e hipertensionit tek fëmijët e moshës nga 10 deri në 14 vjeç.

Mes të vegjëlve ka ndër të tjera dhe një rritje të rasteve të diabetit të tipit 2, pra ai ushqimor, që godet zakonisht moshat e mëdha. Edhe një herë, faji është i ushqimit dhe përtacisë.

Spitali pediatik “Bambino Gesu” në Romë ka zbuluar një pasojë të re të obezitetit tek të miturit, që është rreziku i prekjes nga Alzheimer që në adoleshencë. Tek të vegjlit në mbipeshë, specialistët kanë diktuar grumbullimin e proteinës përgjegjëse për sëmundjen cerebrale të moshës së thyer.

Obeziteti nuk është i vetmi problem, me shifrat shqetësuese që tregojnë se 10% e fëmijëve nën 12 vjeç në Itali vuajnë nga anoreksia apo bulimia.

Top Channel