Berat, punimet në rrugë rrezikojnë kalimtarët

19/10/2015 17:00

Berati prej dy vitesh është kthyer në një kantier ndërtimesh në rrugë, trotuare apo parqe, ndërsa prej tre muajsh brenda në qytet po punohet për shtrimin e trotuarit nga Ura e Goricës drejt qendrës së qytetit.

Por, ndërsa punimet janë në ditët e fundit, bordurat në krah të Lumit Osum janë shembur dhe asnjë masë sinjalistike nuk është vendosur për parandalimin e aksidenteve. Qytetarët deklarojnë se nuk kanë qenë të pakta rastet kur kalimtarët janë rëzuar si pasojë e gropave në rrugë dhe shembjes së bordurave në krah të lumit.

Tetori është muaji që parashikohet dhe përfundimi i punimeve që do të përfshijë dhe vendosjen e bordurave prej hekuri sipas projektit, por punimet vazhdojnë me ritme tepër të ulta dhe asnjë masë nuk është marrë për sinjalistikën e punimeve.

Situata duket se bëhet dhe më e vështirë në mbrëmje, në kushtet kur rruga ndriçohet vetëm nga dritat e makinave, pasi në këtë aks prej kohësh nuk ka ndriçim. Qytetarët deklarojnë se ndihen të rrezikuar veçanërisht në mbrëmje, por dhe për fëmijët, pasi nga dita në ditë po shtohen bordurat e shembur dhe asnjë shenjë nuk është vendosur në rrugë për të parandaluar rrezikun.

Burime nga ana e bashkisë mjaftohen me pohimin se ky aks rrugor është në punim e sipër.

Top Channel