Trofeu Berlusconi, një provë “gjenerale” për portierin Donnarumma

19/10/2015 00:00

Të mërkurën në Milano do të zhvillohet “Trofeu Berlusconi”, në një ndeshje mes dy skuadrave të këtij qyteti, Milanit dhe Interit. Kuqezinjtë pritet të zbresin në fushë me 16-vjeçarin Gianluigi Donnarumma në portë.

I lindur në vitin 1999, numër (99) të cilin mban edhe mbi shpinë të shkruar në fanelën e ekipit, i ndjekur fuqishëm nga në agjent futbollistësh nga më të shquarit në botë si Mino Raiola, konsiderohet si një prej talenteve më të mëdhenj të Italisë në këtë rol.

Ishte pikërisht Filippo Inzaghi, ai që e thirri për herë të parë mes të rriturve të ekipit, kur ishte ende në moshën 15-vjeçare. Ndërkohë gjatë verës së kaluar, klubi e promovoi si portier të tretë të ekipit, për ta vënë në dispozicion të trajnerit Mihajloviç, pas dy zgjedhjeve të para Diego Lopez dhe Abbiati.

Megjithatë, hierarkitë mes të dytit dhe të tretit janë shumë të lëkundshme dhe pa baza të forta, edhe për shkak se të dy ulen në pankinën e skuadrës. Sinisa Mihajloviç duket se e pëlqen jashtë mase talentin 16-vjeçar, i cili pavarësisht moshës tepër të re, i kalon 2 metra gjatësi.

Edhe pse ndeshja e së mërkurës është një miqësore, duke qenë se luhet ndaj Interit në “San Siro” mund të konsiderohet edhe si një provë gjenerale për portierin. Nëse luan mirë, pse jo mund të jetë zgjedhja numër 1 për ndeshjen me Sassuolon të dielën e ardhshme, teksa Diego Lopez duket shumë larg atij që u pa gjatë sezonit të kaluar.

Gjatë miqësoreve të verës, Donnarumma është aktivizuar edhe ndaj Realit të Madridit, duke i pritur një penallti Toni Kross.

Top Channel