“Hacker”-at kinezë sulmojnë sërish kompanitë amerikane

19/10/2015 00:00

“Hacker”-a të lidhur me qeverinë kineze janë përpjekur të depërtojnë në të dhënat e të paktën 7 kompanive amerikane gjatë tre javëve që Uashingtoni dhe Pekini kanë diskutuar në lidhje me sulmet kibernetike.

“CrowdStrike Inc”, një kompani e sigurisë kibernetike,  tha se programet e sigurisë të vendosur në 5 kompani teknologjike amerikane dhe dy kompani farmaceutike kanë zbuluar dhe ndaluar sulmet, që kanë nisur më 26 shtator. Mediat amerikane shkruajnë se “hacker”-at që tentuan të futen në të dhënat e 7 kompanive amerikane janë të lidhur me qeverinë kineze, duke u bazuar në serverat dhe programet që ato përdorin.

Zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme kineze, Hua Chunying përsëriti qeveria kineze nuk ka asnjë lidhje me sulmet ndaj kompanive amerikane, aq më pak në 7 të fundit.

“CrowdStrike” tha se kishte njoftuar Shtëpinë e Bardhë për konstatimet e veta, por nuk pranoi të identifikojë kompanitë në shënjestër. Gjithashtu edhe një zyrtar i lartë administratës Obama pranoi se ishte vënë në dijeni të sulmeve, por dhe ai nuk pranoi të identifikoi kompanitë që janë sulmuar.

Një tjetër kompani amerikane e sigurisë kibernetike, “FireEye Inc” (FEYE.O), tha se “hacker”-at kinezë të sponsorizuar nga shteti ishin ende aktive, por sipas kompanisë, është ende herët për të thënë nëse qëllimet e tyre kanë ndryshuar.

Top Channel