Qumësht i pakontrolluar, “Fiks Fare”: Ngarkesa me mikrobe në produktet e fshatarëve

19/10/2015 00:00

Ngarkesa e mikrobeve të qumështit, që tregtohet sot në rrugët e kryeqytetit është qindra herë më e lartë sesa norma e vendeve të BE-së.

“Fiks Fare” ka analizuar disa mostra të qumështit, që tregtohet nga fshatarët nëpër shishe plastike të përdorura.

Përgjigjja e analizave të këtyre mostrave ngre problemin e rrezikut, me të cilin përballen sot qytetarët, atë të qumështit të pakontrolluar.

Fiks Fare doli nëpër qytetin e Tiranës për të blerë qumësht të freskët që shësin fshatarët e ardhur nga rrethinat e qytetit. Më pas mostrat u dërguan në Institutin e Sigurisë Ushqimore dhe Veterinarisë për të parë ngarkesën mikrobike të qumështit.

Ngarkesa mikrobike sipas standardeve të BE-se duhet të jetë 100 mijë për mililitër. Ndërsa nga rezultatet e analizave të mostrave të qumështit doli se ngarkesa mikrobike ishte 45 milionë për mililitër, ndërsa 8 milionë e 500 mijë të mostra tjetër; mostra e tretë, 210 mijë; mostra e katërt 1 milionë e 600 mijë; mostra e pestë 65 mijë.

Gazetarët e Fiks Fare pyetën mjekun specialist Altin Telo, gjithashtu edhe infeksionisten në QSUT.

Kjo tregon që kampionët e qumështit kanë një ngarkesë shumë të madhe mikrobike. Një ngarkesë e tillë nuk është normale. Qumështi dhe të gjitha produktet me origjinë shtazore duhet të tregtohen në kushte frigoriferike. Këto mikrobe mund të eliminohen nga procesi i zierjes, i cili eliminon edhe mikrobët patogjenë që janë edhe më të rrezikshëm. Megjithatë ky proces shkatërron edhe sisa lëndë ushqyese që ndodhen në qumësht”, është shprehur mjeku specialist, Altin Telo, i cili ka shtuar edhe pse aktualisht temperaturat janë ulur rrezikshmëria nga qumështi është e madhe.

“Jo vetëm në Shqipëri, por edhe në Europë shohim një tendencë që qumështi të konsumohet i marrë drejtpërdrejtë nga kafshët, bio. Në kuptimin që qumështi të mos i nënshtrohet asnjë procesi minimal të përpunimit. Qumështi mund të kontaminohet që në momentin e mjeljes nga kafsha, por edhe kontenieri ku hidhet qumështi, gjithashtu edhe nga uji që shtohet për ta holluar. Detyrimisht sëmundjet janë të shumta. Nga qumështi mund të marrim një sëmundje bakteriale, që nga Salmonelat, Sheriakoli, Dëmtime të zorrëve, tuberkulozi, bruceloza. Por edhe produktet e qumështit që nuk i nënshtrohen procesit të vlimit rrezikojnë t’i bartin këto mikrobe”, u shpreh mjekja infektiologe, Entela Kolovani.

Top Channel