“Sa pak drejtësi për ne…”

19/10/2015 00:00

Kjo është një ditë e zakonshme në ambientet e jashtme të Burgut të Rrogozhinës. Familjarë të të dënuarve, apo të atyre që janë në pritje të vendimit gjyqësor, presin me orë të tëra për t’i takuar e për t’u çuar ushqimet e javës.

Prania e kameras e tremb shumicën prej tyre. Jashtë saj të afrohen e të rrëfejnë se gjenden gabimisht aty, se djali apo vëllai s’ka bërë asnjë krim.

Ilia Stefani është mbase më kurajozi. Për dy muaj, i biri që është i akuzuar për trafik narkotikësh, do të lërë qelinë. Ai po mbyll një dënim prej afro 5 vitesh, e megjithatë, Ilias nuk i ka ikur ende zemërimi, që i shkaktohet nga dy standardet e drejtësisë.

Ai vuan edhe faktin që aty brenda, djali – dikur student që gaboi, – këto vite nuk i kanë shërbyer që të rehabilitohet.

Ndërsa për Selami Ferizin, kjo është hera e parë që viziton këto ambiente. Ka ardhur të shohë nipin, Eltonin, dikur përdorues droge, sot i dënuar me 3 vite e 4 muaj burg për mbajtjen e 9 gramë lënde narkotike.

Pas më shumë se 4 orë pritjeje, polici i burgut u jep të drejtën për të hyrë brenda. Kontrolli fizik dhe ai i ushqimeve marrin afro dy orë. Në dalje, Selamiu ka emocione për të ndarë.

E nëse brenda këtyre mureve gjithçka mbetet e njëjtë, familjarët e tyre vazhdojnë jetën me dilemat dhe vështirësitë e përditshmërisë. Në shumë raste, ditët e tyre janë më të errëta se ditët brenda një qelie…

Top Channel