7 vite burg për 0.9 gram heroinë

19/10/2015 00:00

Në shtëpinë e Rifan Rushit, në Kavajë, sot nuk banon më askush. Dhoma e tij modeste, ku banonte me gruan dhe dy fëmijët para ngjarjes, ka mbetur e njëjta si 5 vite më parë, kohë kur u arrestua nga policia e qytetit për mbajtjen e 0.9 gram heroinë.

Ai u prangos krejt befasisht në Rinas, teksa po kthehej nga Italia, kur mendonte se me drejtësinë nuk kishte asnjë problem. I befasishëm ishte lajmi edhe për nënën e tij, Rabijen.

“Ka qenë i ziu i vetes. E pinte, jo se e shiste. Kanë kontrolluar në shtëpi, por nuk gjetën gjë”.

Rifani u dënua nga Gjykata e Shkallës së Parë me 7 vite burg, vendim të cilin Apeli e uli në 5 vite. Dënimi i tij u ka ndryshuar jetën edhe familjarëve.

“Me siklet më ka shkuar, shumë shpenzime, shumë harxhime, shumë pikëllime”.

E moshuara e kalon ditën duke shitur në tregun e rrobave dhe sendeve të përdorura, në Kavajë. Me paratë e xhiros heq shpenzimet e të birit.

“Çdo javë. Edhe nesër do iki prapë. I çoj ushqime, lekë. Më shkon 100 mijë lekë çdo javë”.

Asokohe, Rifani u denoncua nga kushëriri i tij, i cili ishte dhe vetë në rolin e të akuzuarit. Sot, ai gjendet jashtë hekurave, ndërsa 31-vjeçari vijon të vuajë dënimin.

“Kam bërë përpjekje. E shtyjnë me justifikime. Djali i vëllait tim pagoi 7 mijë euro dhe doli dhe ia la fajin djalit tim. Edhe borxh do merrja ta nxirrja, por s’ma lirojnë”.

Top Channel