Rinovimi i De Biasi-t, Bushi: Debat i stisur, nuk ka asnjë përçarje

20/10/2015 00:00

Rinovimi i kontratës për trajnerin e Kombëtares shqiptare, Gianni De Biasi, ka hapur një debat të madh. Në media u raportua për një përçarje mes italianit me pasaportë shqiptare dhe Federatës Shqiptare të Futbollit, por që sipas menaxherit të Kombëtares, Alban Bushi “debati ishte i stisur”.

I ftuar te “Procesi Sportiv”, Bushi ka thënë se një deklaratë e tij është keqinterpretuar, ndërsa në vazhdimësi ka drejtuar gishtin e fajtorit te mediat, të cilat sipas tij krijuan zhurmë të panevojshme.

“Unë kam bërë një deklaratë ku kam thënë që falënderoj tifozët dhe kreun e FSHF-së, por nuk kam falënderuar stafin teknik, pasi unë bëj pjesë te stafi dhe nuk më është dukur e udhës ta bëj një gjë të tillë. Tani është marrë kjo pjesë e deklaratës dhe është krijuar një zhurmë e madhe. Dua t’ju kujtoj që në fund të sezonit të kaluar, kur të gjithë ishin kundër rinovimit me De Biasi-n, ne i kemi dhënë edhe një mundësi. Të gjithë kanë dhënë kontributin e tyre që ekipi Kombëtar të kualifikohet, prandaj ky debat është i stisur. Nuk ka përçarje në Kombëtare, përkundrazi jemi të bashkuar”, është shprehur menaxheri i kombëtares.

Një tjetër pikë që u diskutua ka qenë edhe paga që kërkon De Biasi për rinovimin. Shifrat që janë diskutuar në media janë hedhur poshtë nga Bushi. “Më thoni kush tha që De Biasi do miliona? Mediat, ju i nxorët shifrat milionëshe”, ka vazhduar ish-lojtari.

Bushi ka theksuar se kontrata me De Biasi-n mbyllet pas Europianit, pasi specifikohet qartë se në rast kualifikimi ajo vazhdohet deri në përfundim të kompeticionit.

Më i ashpër ka qenë Gëzim Sinemati, i cili është shprehur kundër zyrtarëve të FSFH-së të cilët flasin për rinovimin e De Biasi-t, ose se kush ka më shumë merita për kualifikimin e Shqipërisë në Europian.

“Trajnerin e vlerësojnë rezultatet dhe De Biasi i ka rezultatet. Për trajnerin e Kombëtares duhet të flasë vetëm presidenti ose sekretari i përgjithshëm i FSHF-së dhe jo të tjerët. Në të gjitha sezonet e kaluara, kur ne nuk kemi pasur suksesin e këtij viti, janë fajësuar vetëm trajnerët dhe për pasojë janë shkarkuar, ndërsa këtë vit që jemi kualifikuar, të gjithë duan të marrin merita”, është shprehur Sinemati.

Ndërkohë, edhe për trajnerin e Kombëtares U21, Redi Jupi, ky debat është i panevojshëm, duke thënë se debati mbi rinovimin e trajnerit duhet të zëvendësohet me një tjetër debat.

“Uroj që ky debat dhe çështja e rinovimit të mbyllet sa më shpejtë. Unë mendoja që pas kualifikimit do të kemi debat për të ardhmen e Kombëtares, nëse do të kualifikohemi radhës tjetër, a kemi lojtarë që do ta përsërisin suksesin e këtij viti, etj. Mendoj se këtu duhet të përqendrohemi dhe jo të gjërat e panevojshme. Ne kemi shumë pak futbollistë të rinj të regjistruar dhe kjo është një kambanë alarmi”, u shpreh Redi Jupi.

Trajneri i Shpresave ka folur edhe për debatin De Biasi-Manaj, i cili u mbyll ende pa filluar mirë. “Pas atij debati kam diskutuar me Manajn dhe ia kam bërë të qartë që e ka vetë në dorë për të marrë një ftesë nga Kombëtarja A. Ai luan në një skuadër si Interi dhe te Shpresat, prandaj i ka të gjitha mundësitë për të treguar aftësitë e tij. Jo vetëm ai, por ë gjithë lojtarët duhet ta tregojnë vetën në fushë dhe nëse e meritojnë, sigurisht se do ta kenë ftesën nga trajneri”, tha Jupi.

Në pyetjen drejtuar menaxherit të Kombëtares shqiptare, Alban Bushi nëse De Biasi do ta ketë të vështirë të zgjedh 23 lojtarët që do të jenë pjesë e skuadrës në Europian, ai u përgjigj: “Kjo situatë është një luks për trajnerin. Do te jetë pak e vështirë 23 lojtarë, pasi sikurse ata që janë 11 në fushë edhe ata që qëndrojnë në stol janë të një niveli të lartë”, u shpreh ai.

Top Channel