Nga Peniani te “Wembley”, ja 10 stadiumet më të mëdha në botë

20/10/2015 00:00

Stadiumet, vendi ku skuadrat shkruajnë historinë, ndërsa tifozët shfaqin gjithë pasionin për idhujt e tyre. Të gjithë do të donit të shikonit skuadrën e zemrës në njërën nga dhjetë stadiumet më të mëdha në botë, aty ku atmosfera është elektrizuese e që do ta mbanit mend shumë gjatë.

Nga “Wembley” mitik e deri te stadiumi kombëtar i Koresë së Veriut, ja dhjetë stadiumet më të mëdha në botë.

10. Stadiumi “Bung Karno” – 88.306 spektatorë

Në vendin e dhjetë radhitet stadiumi “Bung Karno” që gjendet ne Xhakarta, Indonezi. Ky stadium, që është shtëpia e Kombëtares indoneziane të futbollit, ka kapacitet prej 88.306 spektatorësh.

9. “Wembley” – 90.000 spektatorë

Duhet të themi më shumë? “Wembley”, shtëpia e Kombëtares angleze, një tempull unik i futbollit. Në këtë stadium me kapacitet 90 mijë spektatorë Kombëtarja e “tre luanëve” luan ndeshjet si vendas, ndërsa shfrytëzohet edhe për gjysmëfinalet dhe finalet e të dy Kupave angleze, si dhe luhet faza e “play-off”-it për kategoritë e dyta dhe të treta.

8 . “Los Angeles Memorial Coliseum” – 92.516 spektatorë

Stadiumi i parë që ka mirëpritur dy herë Lojërat Olimpike, fillimisht në vitin 1932 dhe më pas më 1984. Gjithashtu, është propozuar për të mirëpritur edhe Lojërat Olimpike Verore në vitin 2024. Një stadium gjigand, por që nuk shfrytëzohet për të luajtur futbollin që duan europianët, por atë amerikan. Ky stadium është shtëpia e skuadrës së futbollit amerikan USC Trojans.

7. “Camp Nou” – 99.534 spektatorë

Një tjetër stadium gjigand në Europë. “Camp Nou” është njëra nga stadiumet më të veçanta në botë. Ashtu sikurse është vetë skuadra e Barcelonës, edhe ky stadium është “më shumë se një stadium”.

6. “Azadi” – 100.000 spektatorë

100 mijë tifozë mund të ndjekin ndeshje në stadiumin e Teheranit. Ky stadium është shtëpia legjendare e Kombëtares iraniane dhe e skuadrës Esteghlal.

5. “Bukit Jalil” – 100.200 spektatorë

Shtëpia e skuadrës përfaqësuese të Malajzisë. Nuk hyn në stadiumet më moderne të futbollit, por gjithsesi njëri nga më të mëdhenjtë që të ofron emocione të papërshkrueshme.

4. Stadiumi “Azteca” – 105.000 spektatorë

Një tjetër stadium ku do të dëshironit ta shikonit një ndeshje. Një stadium mitik, ku Kombëtarja meksikane dhe skuadra e Club Amerika luajnë sfidat e tyre.

3. Stadiumi i Michigan-it – 109.901 spektatorë

E kujtoni atë foton e famshme nga një miqësore në një turne veror ndërmjet Real Madrid dhe Manchester United? Mirë, stadiumi që keni parë është saktësisht ai i Michigan-it. Ky stadium është më i madhi në Amerikën Veriore.

2. “Yuva Bharati Krirangan” – 120.000 spektatorë

Kemi arritur në pikën e nxehtë. Një stadium indian është në podium, por kapaciteti prej 120 mijë spektatorësh nuk mjafton që të jetë në vendin e parë. “Yuva Bharati Krirangan” është shtëpia e tre skuadrave East Bengal, Mohammedan SC dhe Mohun Bagan AC. Me gjithë këtë kapacitet, ju sigurojmë se atmosfera është ajo çfarë do të dëshironit të përjetonit në një ndeshje futbolli.

1. “Rungrado May Day” – 150.000 spektatorë

Rungrado… kush? I pari në listën prej dhjetë stadiumeve më të mëdha në botë është stadiumi kombëtar në Penian në Korenë e Veriut. Ka kapacitet prej 150 mijë vendeve, por nuk jemi shumë të sigurtë se sa mundësi keni për të shikuar një ndeshje në këtë stadium. Gjithsesi, kjo nuk i heq faktin se është më i madhi në botë.

Top Channel