Rotacion pushteti në Kanada, liberalët i japin fund sundimit të konservatorëve

20/10/2015 04:30

Me një fitore dërrmuese në zgjedhjet e përgjithshme të vendit, Partia Liberale e Kanadasë i dha fund sundimit konservator prej gati një dekade.

Fushatën, forca politike e drejtuar nga Justin Trudeau e nisi në vend të tretë, por në një kthesë të befasishme, që ka habitur jo pak kanadezë, tani ka shumicën e Parlamentit në duart e saj. 43-vjeçari Trudeau, i biri i ish-kryeministrit të ndjerë Pierre Trudeau, të konsideruar si babai i Kanadasë moderne, u shpreh se njerëzit votuan ndryshimin e vërtetë.

“Kanadazët dërguan sot një mesazh të qartë: është koha për ndryshim. Ne e mundëm frikën me shpresë, e mundëm cinizmin me punë, por mbi të gjitha, mundëm idenë se kanadezët duhet të kënaqen me pak. Kjo është dëshmia e asaj çfarë mund të bëjë politika pozitive”, tha Justin Trudeau, lider i Partisë Liberale, Kanada.

Pak kush mund ta kishte parashikuar një triumf të tillë të liberalëve. Ata duket të kenë siguruar 184 nga 338 vendet në Parlament. Deri më tani mbanin vetëm 36 të tilla, pas rezultatit më të keq zgjedhor që patën regjistruar në 2011-n.

Nga ana tjetër, liberalët janë shndërruar edhe në të parën parti, që në një proces të vetëm zgjedhor, nga vendi i tretë arrin të dalë e para e të marrë shumicën.

Kryeministri konsevartor në largim, Stephen Harper e pranoi humbjen e vendosi të largohet edhe nga drejtimi i partisë së tij. Kjo ishte fushata më e gjatë zgjedhore në historinë e Kanadasë, e mendohej se rezultati kishte për të qenë shumë më i ngushtë.

Me karizmatikun Trudeau kryeministër, vendi duket i destinuar të ndryshojë fytyrë. Nën drejtimin e Harperit, Kanadaja i ishte larguar qasjes shumëplanëshe në politikën e jashtme. 43-vjeçari Trudeau, tashmë premton të rivendosë marrëdhënie më të ngrohta me administratën “Obama”, edhe pse zotimet e tij, për tërheqjen e trupave kanadeze nga misionet luftarake kundër ISIS-it, ngjallin padyshim pakënaqësi në Uashington.

Top Channel