Protesta e Pegida-s: Po bëhemi të huaj në vendin tonë

20/10/2015 08:50

Çdo të hënë në mbrëmje në qytetin gjerman të Dresdenit, mijëra njerëz mblidhen përpara ndërtesës së operas. Ata mbajnë flamuj gjermane dhe këndojnë këngë nacionaliste me një qëllim te vetëm: të ndalojnë mbërritjen e emigrantëve në Gjermani.

Pjesëmarrësit në protestë thonë se protestojnë çdo javë paqësisht dhe se nuk janë nazistë. Ata kërkojnë me çdo kusht që të mos etiketohen si të tillë apo si përkrahës të ekstremit të djathtë, thjesht nuk duan që të shndërrohen në të huaj në vendin e tyre. Protestat në Dresden nisën thuajse një vit më parë, por një ish futbollist, Lits Bakman, postoi ofendime kundër emigrantëve turq në Gjermani.

Kjo u bë bazë për PEGIDA-n, sigël që do të thotë europianët patriotë kundër islamizimit të perëndimit. Ajo që nisi si një protestë e disa qindra njerëzve tashmë zhvillohet çdo javë dhe me mijëra marrin pjesë. Në Gjermani nuk kanë munguar as kundërprotestat e njerëzve që kundërshtojnë pikpamjet e Pegida-s dhe që mirëpresin emigrantët.

Në fakt, kjo politikë është udhëhequr nga kancelarja gjermane Angela Merkel, e cila ka premtuar procedura të shpejta azili. Analistët thonë se gjermanët vërtetë i mirëpritën emigrantët në fillim, por me numrin e tyre gjithnjë e në rritje, është vënë në pikëpyetje politika e Merkelit.

Sondazhet e fundit tregojnë se më shumë se gjysma e gjermanëve mendojnë se në vendin e tyre ka mjaft emigrantë që tani, ndërsa vetëm një në tre është shprehur dakord me politikat e kancelares.

Ndërkohë PEGIDA ka treguar se është një lëvizje kokëfortë dhe më jetëgjatë se kundërshtarët e saj, ndërsa vazhdon të rritet pjesërisht e nxitur nga shqetësimi publik për krizën e emigrantëve që nuk i duket fundit.

Top Channel