Kosovë, opozita nuk tërhiqet nga qëndrimi i saj

20/10/2015 10:20

Liderët e tri partive opozitare në Kosovë nuk janë bindur nga presidentja Atifete Jahjaga që të ulen në një tryezë të përbashkët me qeverinë për të diskutuar për gjetjen e një zgjidhjeje për zhbllokimin e Kuvendit.

Pas takimit të përbashkët që kishin me Jahjagën, tre kryetarët e partive opozitare thanë se pa tërheqjen e qeverisë nga marrëveshjet me Serbinë dhe me Malin e Zi, nuk pranojnë të ulen në tryezë të përbashkët.
 
Visar Ymeri, kryetari i Vetëvendosjes, u shpreh: “Në takim, Presidentes së Republikës së Kosovës i bëmë të qartë kërkesat tona, që janë që marrëveshjet me Serbinë të arritura në Bruksel dhe marrëveshja për demarkacionin me Malin e Zi janë marrëveshje të cilat domosdoshmërisht duhet të hidhen poshtë. Ne si opozitë e bashkuar jemi të vendosur në kërkesat tona dhe jemi po ashtu të vendosur në protestën tonë për të pamundësuar zbatimin e këtyre marrëveshjeve në territorin dhe institucionet e Republikës së Kosovës”.
 
Ramush Haradinaj, kryetari i AAK-së, deklaroi: “Gabim i madh të këmbëngulet për ta thirrur seancën e Parlamentit, ndërsa nuk është marrë asnjë vendim për anulimin e marrëveshjeve. Njëkohësisht, është gabim i madh i qeverisë përdorimi i Policisë dhe i Prokurorisë për të disiplinuar opozitën. Është e pakuptimtë të ndërmarrësh një represion policor prokurorial ndaj deputetëve të zgjedhur, e në të njëjtën kohë të këmbëngulësh që seancat të mbahen. Pra, i kemi treguar edhe presidentes se një veprim i tillë do të jetë vendim për përshkallëzim edhe më tej të gjendjes në vend”.
 
Ndërkohë, Fatmir Limaj, kryetari i Nismës, theksoi: “Kërkesat tona janë të qarta. Parakusht për realizimin e këtyre kërkesave që ju duhet kohë, është që koalicioni qeverisës mos të bëjë asnjë hap më tutje për të tensionuar situatën. E hapa të tillë që çojnë drejt tensionimit është thirrja e panevojshme e seancës. Dhe e dyta, ndaljen e dhunës ndaj aktivistëve dhe deputetëve opozitarë të Parlamentit të Kosovës”.
 
Pas takimit me liderët opozitarë, presidentja Atifete Jahjaga nuk ka folur për mediat, ndërsa përmes një komunikate ka bërë të ditur që takimi është zhvilluar në kuadër të nismës për tejkalimin e gjendjes së krijuar në vend.

Top Channel