De Biasi s’ka nevojë të merret peng për të qënë ‘patriot’

20/10/2015 00:00

Elert Yzeiri- Ne shqiptarët si popull qejfli që jemi, na pëlqejnë jashtëzakonisht shumë festat, por kemi gjithashtu një të keqe të madhe që dehemi shpejt.

E në shumë raste nuk e çojmë dot deri në fund, pasi në grahmat e para të gëzimit fillojnë e na merren këmbët. Në shumë raste, plasemi dhunshëm pas murit, e në shumë të tjera mbytemi me të vjellat tona. Duke kërkuar ndjesë për neverinë që mund të lërë përshkrimi kjo është një e vërtetë që nuk e fshehim dot, sepse na shoqëron në përditshmërinë tonë “të gëzueshme”. Na ndodh kur martohemi, kur bëhemi me fëmijë, kur djali i madh feston 5-vjetorin e lindjes, kur çupa e vetme fejohet, kur nipi bëhet synet apo kur motra merr provimin e shkollës së lartë.

Kjo na ndodhi edhe së fundmi, kur për inat të botës dhe për qejfin tonë arritëm të marrim biletën si një prej finalisteve të Europianit të futbollit, që do të luhet verën ardhshme në Francë. Festë e madhe, sa u tundën malet. Europa, në gazetat e saj, nuk u habit që ne zumë vendin e Holandës, Greqisë, Danimarkës a Serbisë, por analizoi në detaje festimet origjinale në rrugët e Tiranës, Shkodrës, Prishtinës, Tetovës, e madje edhe të Nju Jorkut të largët, ku për xhelozi nuk japin shumë informacion rreth ngjarjeve të eliminatoreve europiane. Festë e madhe këto ditë u bë në Kryeministri, në Presidencë, në Ministrinë e Turizmit, edhe në atë të Zhvillimit Urban, madje edhe në Selinë e PD-së, e të gjithë ishim shumë të lumtur. Dekorata, tituj, fletëlavdërimi, çelësa qytetesh, qytetarë të ndërruar, like e komente në Facebook, ripostime në Instagram, etj. Pra festa është në kulmin e saj, e në këto kushte mund të shquash me lehtësi edhe të dehurit e parë.

Fundjava që lamë pas zhurmoi nga zërat për rinovimin të kontratës së italianit. Dhe për të folën të gjithë, nga zyrtarët më të lartë të futbollit me deklarata publike, gazetarët në mediat e shkruara dhe vizive, tifozët në rrjetet sociale, si dhe politikanët në ligjërimet e tyre moraliste. A ka ndonjë kontratë mes De Biasit dhe federatës? Kur mbaron dhe a mund të rinovohet ajo? A ka dëshirë ai të rinovojë? Cilat janë skuadrat që kanë interes për të?

Vetë italiani foli qartë për disa media të huaja, por pa dhënë shumë indicie për të ardhmen e tij. “Kam një pikë në kontratë që në rast të kualifikimit do të qëndroj në krye të Shqipërisë deri në përfundimin e finaleve, edhe pse kontrata më përfundon më 31 dhjetor 2015”. Më tej, Duka zbuloi detaje edhe më interesante: “De Biasi ka marrë 200 mijë euro shpërblim për kualifikimin, ashtu sikundër është shpërblyer edhe stafi italian. Në kontratë ka një pikë që në rast kualifikimi, kontrata rinovohet automatikisht deri në vitin 2017. Në rast se ai nuk është dakord, mund të bëjë zgjedhjen e tij sipas kushteve kontraktuale”.

Puna e një trajneri më së shumti vlerësohet me rezultate. Në shumë raste për trofetë e titujt që ai fiton, por në shumë të tjera edhe për lojën e bukur, apo evidentimin e talenteve. Në kombëtaren shqiptare, këto kohët e fundit, kanë hyrë e kanë dalë shumë trajnerë të huaj. Emra të mëdhenj të futbollit, personalitete me emër, që me gjithë kontributin e dhënë asnjëri nuk kënaqi pritshmëritë e tifozëve sa De Biasi. Sepse ky i bëri të tria bashkë: evidentoi një grup fantastik djemsh të talentuar, duke kapërcyer një epokë të lavdishme, e duke nisur një të re. Zhvilloi ndeshje shumë të bukura në dy edicione eliminatoresh duke mundur skuadra që më fanatikët nuk i kishin shijuar duke luajtur playstation. Por, mbi të gjitha, arriti kualifikimin historik në finalet e një aktiviteti madhor, ëndërr e brezave që kanë shkruar historinë 85-vjeçare të futbollit shqiptar.

Ai u bë njësh me skuadrën, jo se donte të na tregonte se është një shqiptar prej vërteti, duke lëvizur shpesh edhe buzët kur këndohet himni, por sepse për ta bërë këtë profesionin e trajnerit nuk mjafton t’i kesh rënë topit në rini, as të kesh mësuar përmendësh disa programe stërvitore, a të kesh fantazinë për të hartuar skema. Trajningu është diçka më e thellë: është intuitë, zgjuarsi, finokëri, shkathtësi, janë pafundësisht orë pune, marrëdhënie njerëzore, janë një stres i pafundmë, një mundim i jashtëzakonshëm, një sakrificë njerëzore.

Dhe në momentin që arrin një sukses të tillë, për më shumë me një skuadër që me gjithë dëshirën tonë, vazhdon të jetë modeste në ranking-un e institucioneve të futbollit, por edhe në optikën e kundërshtarëve tanë europianë, vlera në treg rritet disa fish. Dhe me të drejtë, kushtet e tij tani e tutje kanë një lidhje të natyrshme me një tjetër qasje financiare.

Dhe duke ju kthyer sërish atij avazit të vjetër, që në dehjen e parë, atë kur i pamë serbët të mundur (madje dy herë, një me dron në Beograd e një me vendime të sforcuara të gjykatave të arbitrazhit sportiv), të gjithë ishin pro që De Biasin ta natyralizonim shqiptar dhe në qejf e sipër ia veshëm edhe atij kostumin e patriotit, duke ia shqipëruar madje edhe emrin.

Por me pasaportën që ne i dhamë De Biasit nuk i blemë lirinë, sigurisht as profesionin, të cilin më parë se ta shfaqte në Shqipëri, ai e ka ushtruar me shumë cilësi edhe në Itali e në Spanjë, e që sigurisht nesër me shumë gjasa do ta ushtrojë diku gjetkë në Europë. Ndaj sot nuk kemi pse bëhemi grinjarë duke rrëmuar pas çdo rreshti të kontratës, për t’i lidhur këmbët.

Dëshira jonë e madhe për ta shqiptarizuar, nuk e pengon atë të zgjedhë të punojë në një vend tjetër, a më keq akoma, të mbushur deri në grykë me patriotizëm ne ta quajmë nesër edhe tradhtar, nëse ndonjërit prej fqinjëve tanë i lind në zemër t’ia thyejë bankomatin, duke i vënë një rrogë disa milionëshe euro, gjë që Shqipëria sot, por me shumë siguri, as nesër nuk ka mundësi t’ia bëjmë.

Është e vërtetë që Duka e dashuron ekipin kombëtar më shumë se çdo gjë tjetër, por në venat e tij qarkullon gjaku i një menaxheri finok, që para se të hedhë firma e të vulosë dokumente, radhit një lumë me klauzola, por edhe trukesh, që nuk kam as më të voglin dyshim janë në favor të tij, pra të kombëtares. Dhe në të tilla raste thuhet “mos i flisni në dorë Dukës”, ai e di ç’bën. Mbase duke shpresuar edhe në “kërcënimet” euforike të kryeministrit, mund të ketë ndonjë mundësi për t’i dhënë një pin të ri për bankomatin De Biasit.

Top Channel