Nis mbyllja e pusetave, aksioni nga bashkia e Tiranës

20/10/2015 11:50

Pas identifikimit të rreth 4 mijë pusetave të munguara në kryeqytet, Bashkia e Tiranës ka nisur nga puna për zëvendësimin e tyre, duke filluar nga rrugët pranë institucioneve arsimore, e duke vijuar me rrugët kryesore të qytetit.

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, vizitoi Ndërmarrjen Publike nr. 2, ku inspektoi përgatitjet për zëvendësimin e pusetave të munguara, si dhe paralajmëroi se të gjitha fonderitë, të cilat pranojnë pusetat e vjedhura, që janë pronë e qytetarëve të Tiranës, do të ndiqen penalisht dhe do t’u hiqet licenca.

“Qytetarët duhet të kuptojnë se pusetat kushtojnë dhe paguhen me taksat e qytetarëve. Kjo do të thotë se, nëse dikush vjedh një pusetë, është duke vjedhur një pronë publike të qytetarëve. Prandaj, jo vetëm do të gjobitet, jo vetëm që do të ndiqet penalisht, por do t’u biem pas edhe fonderive që marrin pjesët e pusetave”, tha Veliaj.

Ndërkaq, Veliaj tha se Bashkia e Tiranës ka nisur përdorimin e një materiali të ri për prodhimin e pusetave, në mënyrë që të mos jetë i riciklueshëm dhe për pasojë të mos bjerë pre e vjedhësve për t’u shitur.  Drejtoria e Ndërmarrjes Publike nr. 2 të Bashkisë së Tiranës ka nisur vendosjen e pusetave dhe zgarave në të dy krahët e Bulevardit “Dëshmorët e Kombit”. Aksioni do vijojë në të gjithë qytetin.

Top Channel