Maqedoni, ambasadori amerikan: I shqetësuar për shkak të dështimit të bisedimeve ndërpartiake

20/10/2015 14:10

Nëpërmjet një postimi në Twitter, ambasadori i SHBA-së në Shkup, Xhejs Bejli ka shprehur shqetësimin e tij për shkak të pamundësisë së liderëve politikë që të arrijnë pajtueshmëri për zbatimin e marrëveshjes ndërpartiake për daljen e Maqedonisë nga kriza politike.

Ky shqetësim i Bejlit vjen pas dështimit të bisedimeve maratonë, në të cila prezent ishte edhe euro-komisioneri Johanes Hahn.
 
“Jam thellësisht i shqetësuar për shkak pamundësisë së liderëve që të arrijnë marrëveshje. Marrëveshja e Përzhinos është mënyrë se si të sigurohet përgjegjësi dhe të përmirësohen kushtet për zgjedhje të ndershme dhe demokratike, dhe t’i jepet fund krizës politike. Është i nevojshëm vullneti politik për t’u përballur me çështjet tjera të ngelura pa u zgjidhur”, ka shkruar ambasadori i SHBA-së, në Shkup, Xhejs Bejli në profilin e tij në rrjetin social.
 
Dështimi i bisedimeve mes partive parlamentare në Maqedoni i ka shqetësuar edhe njohësit e situatës politike në këtë vend.
 
Profesori universitar, Denko Malevski paralajmëron se Maqedonia mund të futet në një krizë të thellë me pasoja shumë të rënda për vendin: “Politikanët duhet ta kenë të qartë se përpos asaj që çon përpara, rrugë tjetër nuk ka. Është e çuditshme se si ata e kuptojnë politikën, vetëm si privilegj, e jo si obligim që të prodhojnë zgjidhje politike, e cila do të sjellë të mira për të gjithë shtetin”.
 
Malevski pohon për mediat se  nëse dështon marrëveshja, atëherë ndërkombëtarët do të heqin dorë nga Maqedonia.

Top Channel