Prokuroria mbyll letrën e Brahos: Nuk përbën vepër penale

20/10/2015 14:50

Prokuroria e Tiranës nuk do të regjistrojë procedim penal për letrën e adresuar institucioneve nga kreu i Komisionit të Sigurisë Spartak Braho, në të cilën njoftonte se deputeti Tom Doshi dhe ish-ministri Dritan Prifti po tentonin të destabilizonin vendin.

Sipas një burimi pranë Prokurorisë së Përgjithshme, ky vendim është marrë pas verifikimeve të kryera për këtë çështje, e cila shkaktoi bujë. Por ndërsa letra e Brahos u përcoll nga Prokurori i Përgjithshëm tek prokurorë të njësisë task force që po hetojnë dosjen CEZ-DIA e për rrjedhim kanë nën hetim edhe administratorin Kastriot Ismailaj, menjëherë prokuroria dërgoi për të pyetur personazhet që përmendeshin në letër.

Së pari, në prokurori ishin deputeti Tom Doshi dhe bashkëshortja e Ismailajt, Vojsava Ismailaj, për të cilën pretendohej në letër se ishte kërcënuar me qëllim që ajo të influenconte tek bashkëshorti për të përmendur emrin e kreut të Kuvendit, Ilir Meta.

Në polici ishte edhe ish-ministri Prifti, ndërsa që të tre ata pohuan se këto të dhëna të letrës nuk ishin të verteta. I fundit që u pyet ishte Spartak Braho, i cili nuk konfirmoi para prokurorisë se nga i kishte siguruar këto informacione, ndërsa nuk hodhi dritë mbi asnjë fakt tjetër përpos të dhënave në letër.

Prokuroria e Përgjithshme thotë në rrugë jozyrtare se verifikimet nisën për të ndihmuar prokurorët që të gjenin të dhëna shtesë për dosjen CEZ-DIA, të dhëna të cilat në fakt nuk u gjetën.

Top Channel