Paketa e zgjerimit të BE-së, kërkohet datë për progresraportin

20/10/2015 15:20

Knut Fleckenstein, David McAllister, Ivo Vajgl, Ulrike Lunacek, Charles Tannock dhe Kati Piri; përkatësisht raportuesit e Parlamentit Europian për Shqipërinë, Serbinë, Maqedoninë, Kosovën, Malin e Zi dhe Turqinë; i kërkojnë zyrtarisht komisionerit Johannes Hahn informacion për datën e saktë të publikimit të paketës së zgjerimit.

Letra e siguruar nga Top Channel kujton se, pas shtyrjes, “21 tetori” qarkullon si “një datë e mundshme”, por “meqë Turqia mban zgjedhjet më 1 nëntor” pritet, që ky publikim të ndodhë edhe më vonë.

Zëvendëspresidentja Lunaçek kërkon zyrtarisht, në emër të raportuesve të legjislativit europian, që Komisioni t’i informojë “deri në fund të javës” për datën e paraqitjes së raporteve të progresit, me argumentin se, “kjo do të ndihmojë për planifikimin e axhendave respektive dhe për finalizimin e kalendarit të përcaktuar të rezolutave të Parlamentit Europian, mbi 6 vendet e Ballkanit Perëndimor dhe Turqinë”.

Pavarësisht letrës së eurodeputetëve ndaj komisionerit Hahn, e me gjithë interesimin e vazhdueshëm të medias, kryezëdhënësi i KE-së, Margaritis Schinas përsëriti se, “data e publikimit do të njoftohet, vetëm pasi Presidenti Juncker të ketë vendosur për çastin e duhur të miratimit të paketës së zgjerimit nga kolegji i komisionerëve”.

Përgatiti: Arta TOZAJ

Top Channel