Kosovë, Kuvendi në seancë plenare të premten; reagon opozita

20/10/2015 15:35

Kryesia e Kuvendit të Kosovës caktoi pasditen e së premtes për mbajtjen e seancës së radhës parlamentare, në orën 16:00. Kjo, pavarësisht nga paralajmërimet e opozitës për bllokimin e punës së Kuvendit, deri në tërheqjen e nënshkrimeve nga dy marrëveshjet, ajo për Asociacionin e Komunave me shumicë serbe dhe përcaktimin e kufirit me Malin e Zi.

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli ka ende shpresë se, pozitë-opozitë do t’i krijojnë mundësi njëra-tjetrës për të gjetur një zgjidhje, duke shtuar se, megjithatë, nuk ka mjet që mund ta ndalë punën e institucioneve të Kosovës, e në këtë rast as gazi lotsjellës.

“Opozita është shumë e respektuar. Janë 31 deputetë, të cilët po i dëgjojmë çdo ditë në të njëjtën kohë. Ne duhet t’i krijojmë mundësi njëri-tjetrit, që të dalim nga kjo situatë. Askush nuk ka të drejtë që ta bllokojë punën e institucioneve të Kosovës. Askush nga ne nuk ka të drejtë ta marrë rolin e udhëheqësit rreth një të drejte. Interesat e qytetarëve të Kosovës mbrohen vetëm përmes institucioneve”, tha Kadri Veseli, kryetar i Kuvendit të Kosovës.

Me gjithë vendosmërinë që Kuvendi të vazhdojë punën, kryeparlamentari Veseli nuk tregoi sesi do ta mundësojë këtë gjë, në një situatë kur paralajmërimet e opozitës për bllokim janë shtuar.

“Do të jetë një vazhdimësi e thirrjes së arsyes dhe një vendosmëri se, nuk ka gaz lotsjellës dhe as ndonjë mjet tjetër, që të na zmbrapsë nga qëllimi kryesor, i cili është mbrojtja dhe ruajtja e institucioneve, forcimi i shtetit”, tha Kadri Veseli, kryetar i Kuvendit të Kosovës.

I menjëhershëm ka qenë edhe reagimi i tri subjekteve opozitare, të cilat kërcënojnë se, thirrja e seancës dhe këmbëngulja që ajo të mbahet, do ta përshkallëzojnë situatën. Në një reagim të përbashkët thuhet se, vendimi i Kryesisë për ta mbajtur seancën në mbrëmje, më së miri paraqet punën e koalicionit qeverisës dhe kryeparlamentarit Veseli.

Siç thuhet në komunikatë, “ata punojnë natën, sa më larg syve të publikut dhe në kundërshtim të plotë me praktikat parlamentare”.

“Nuk do të ketë vazhdim të seancës, për sa kohë që nuk ka tërheqje nga marrëveshjet”, thuhet në reagimin e opozitës, për të theksuar më tej se protesta nuk do të ndalet, pavarësisht se në çfarë ore mbahet seanca dhe sa kërcënuese është policia e pushtetit.

Top Channel