SHBA, regjistrimi i “drone”-ve konsiderohet nevojë urgjente

20/10/2015 00:00

Sekretari amerikan i Transportit deklaroi se, SHBA-të kanë nevojë urgjente për një regjistër kombëtar “drone”-ësh, apo siç njihen gjerësisht mjeteve fluturuese të telekomanduara.

Anthony Foxx tha se, tashmë është krijuar një “task forcë” për të shqyrtuar këtë nevojë për krijimin e një regjistri kombëtar, ku të jenë shënuar “drone”-ët dhe pronarët e tyre. Kjo lëvizje vjen pas disa raporteve nga zona të ndryshme të SHBA-ve se, “drone”-ët kanë penguar apo rrezikuar operacionet e zjarrfikësve apo shërbime të tjera publike.

Ky problem konsiderohet si shumë serioz, pasi me afrimin e Krishtlindjes pritet të rritet ndjeshëm shitja e “drone”-ëve, që po shndërrohen në një dhuratë mjaft të preferuar.

Sekretari Foxx tha se “task forca” do të dalë me një raport muajin e ardhshëm, me anë të të cilit do të shpejgohet plani për krijimin e bazës së të dhënave për “drone”-ët dhe pronarët e tyre.

Në raport pritet të sqarohet se, “drone”-ët që blihen si lodra nuk do të regjistrohen. Sekretari Anthony Foxx tha gjithashtu se, krijimi i një regjistri të tillë do të ndihmojë në ndërtimin e një kulture përgjegjshmërie dhe do të mbrojë sigurinë publike në ajër dhe tokë.

Por, një vërejtje për këtë ka ardhur nga Shoqata kombëtare e Repoterëve, që janë dakord në parim me idenë, por që vënë në diskutim implementimin e saj. Sipas tyre, sa herë që ka probleme me “drone”-ët, askush nuk gjen dot as mjetin fluturues dhe as pronarin, kështu që regjistrimi del jashtë loje.

Ata thonë se, rregullat e reja nuk do të ndalojnë përdorimin e keq të “drone”-ëve, duke bërë kështu një krahasim me njerëzit, që ngasin makinën pa patentë apo pa sigurim. Mbi të gjitha, – thonë ata, – a mund të krijohet një ligj kundër idiotësisë?

Top Channel