Shqipëria hap Konsullatë Nderi në Gjakovë

20/10/2015 18:20

Në Gjakovë është hapur këtë të martë Konsullata e Nderit e Republikës së Shqipërisë, e cila do të punojë për të thelluar projektet e përbashkëta të fushave të ndryshme mes Kosovës dhe Shqipërisë.

Në përurimin e kësaj konsullate mori pjesë ministri i Punëve të Jashtme të Shqipërisë, Ditmir Bushati, dhe personalitete të të dy vendeve.

“Unë, si politikan nuk i rezistoj dot tundimit dhe do t’i bashkëngjitem Mimozës, kur foli për një komb, për një popull. Për sa na takon neve, do të bëjmë ç’është e mundur për ta kthyer në një pikë takimi, mes shqiptarëve që jetojnë nga dy anët e kufirit, për të cilët historia deshi të mos jetojnë së bashku. Por, sot ekzistojnë të gjitha mundësitë, falë edhe kësaj konsullate, që sidomos brezat e rinj të takohen me njëri-tjetrin dhe të bisedojmë për gjithçka që u pëlqen dhe për të cilat kanë interes të përbashkët, për çështje që kanë të bëjnë kryesisht me artin, kulturën dhe me arsimin”, tha Ditmir Bushati, ministër i Jashtëm i Shqipërisë.

Konsullata është hapur me angazhimin e kryetares së Gjakovës, Mimoza Kusari-Lila dhe ambasadorit të Shqipërisë në Kosovë, Qemal Minxhozi.

“Është një moment shumë prekës ky i sotmi, kur në Gjakovë po hapet Konsullata e parë e Nderit e Republikës së Shqipërisë në Kosovë. Megjithatë, ky i sotmi është thjesht një xhest, sepse edhe më parë kjo ‘konsullatë’ e ka kryer rolin e saj ndër vite e ndër shekuj, në lidhjen e Shqipërisë me Kosovën”, tha Qemal Minxhozi, ambasador i Shqipërisë në Kosovë.

Ndërsa kryetarja e Gjakovës, Mimoza Kusari-Lila tha se, si udhëheqës kanë për synim realizimin e projekteve të përbashkëta për Malësinë e Gjakovës, që është ndarë padrejtësisht.

Konsull nderi është emëruar Akademik Tahir Emra, i njohur për nxitje të bashkëpunimit mes Kosovës dhe Shqipërisë.

“Konsullata do të jetë një mundësi e re për thellimin e bashkëpunimit, duke krijuar një hapësirë tjetër të veprimit dhe koordinimit të planeve të përbashkëta në aspektin zhvillimor, kulturor e turistik. Kjo konsullatë, më shumë sesa karakter diplomatik e politik, ka karakter shpirtëror për Kosovën dhe Shqipërinë, ndaj edhe unë jam i nderuar që do të jem në këtë pozitë nderi”, tha Tahir Emra, konsull nderi i Shqipërisë në Gjakovë.

Zëvendëskryeministri dhe ministri i Jashtëm i Kosovës, Hashim Thaçi i ka dërguar urimet e tij për hapjen e kësaj konsullate përmes rrjetit social Facebook.

“Me mendje isha në Gjakovë, por me merakun që nuk mund të merrja pjesë në hapjen e Konsulltatës së Republikës së Shqiëprisë. Hapja e kësaj konsullate do të intensifikojë bashkëpunimin ekonomik, kulturor e artistik mes qytetit të Gjakovës dhe bashkitë e pjesës veriore të Shqipërisë, por do të ndikojë edhe në thellimin e marrëdhënieve të shkëlqyeshme ndërshtetërore”, ka shkruar zëvendëskryeministri Hashim Thaçi, teksa nisej për në Paris.

Top Channel