Çështja “Frroku” shkon për interpretim në Kushtetuese

20/10/2015 00:00

Mark Frroku ishte vetë i pranishëm në Këshillin e Mandateve dhe Imunitetit, në seancën për shqyrtimin e kërkesës për zëvendësimin e mandatit të tij për shkak të mungesës prej 6 muajsh në Parlament.

I shoqëruar nga forcat policore, Frroku hyri në Kryesinë e Kuvendit. Në pjesën e hapur për mediat, ai nuk bëri asnjë deklaratë, por prezenca e tij në mbledhje duket se e pati një qëllim të qartë për avokatin mbrojtës.

Saimir Visha tha se organet e hetimit po mbajnë një standard të dyfishtë, duke i dhënë leje për të marrë pjesë në seancën e Këshillit të Mandateve, por nuk i kanë pranuar atij kërkesat për të qenë i pranishëm në Kuvend.

Me këtë argument, avokati i Frrokut kërkoi të provojë se klienti i tij nuk ka munguar pa arsye, sikundër nuk ka një vendim të formës së prerë të gjykatës, dy parashikimet e vetme kushtetuese të ndërprerjes së mandatit të një deputeti, çka duket se ia ka dalë të bindë deputetët e të dy krahëve, jo vetëm për vendimin, por edhe që ai të merrej me dyer të mbyllura, pa praninë e medias.

“Këshilli nuk mund të bëjë interpretimin e Kushtetutës, këtë do ta bëjë Gjykata Kushtetuese. Ne jemi drejtuar me një kërkesë për pjesëmarrje të deputetit Mark Frroku lirisht në Kuvendin e Shqipërisë, pasi ai nuk përfaqëson vetëm veten e tij por përfaqëson 20 mijë zgjedhës të qarkut të Shkodrës. Vetë deputetët ranë dakord që nuk mund të bëjnë ata interpretimin dhe në mënyrë që të mos kenë precedentë do t’i drejtohen Kushtetueses”, deklaroi avokati Visha pas mbledhjes.

Nga mbledhja e Këshillit të Mandateve për Frrokun u mësua prej kryetarit të Kuvendit, Ilir Meta, se edhe deputeti tjetër Arben Ndoka ka depozituar kërkesën për dorëheqje nga mandati, moment në të cilin u përqendruan më shumë deklaratat e opozitës.

“Lajmi i mirë për sot është që deputeti Ndoka nuk do të jetë më pjesë e Kuvendit të Shqipërisë, pasi doli në tryezë dorëheqja e tij. Dhe kjo, falë këmbënguljes së PD. Ndërsa sa i takon Frrokut, beteja do të vazhdojë ende. Pati një vendim që çështja të shkojë për interpretim në Gjykatën Kushtetuese, edhe pse mund të zgjidhej në Parlament”, deklaroi deputeti Arben Ristani.

E ndërsa çështja Frroku do të vijojë në Kushtetuese, zëvendësimin e Arben Ndokës pritet ta bëjë KQZ, çka përbën interes për emrin që do të marrë mandatin e tij në qarkun e Lezhës.

Top Channel