FIFA nuk ia mbyll dyert Platinisë: Nëse i revokohet pezullimi…

20/10/2015 00:00

Michel Platini mund të kandidojë për Presidencën e FIFA-s, në rast se do të dilte fitimtar nga ankimimi i bërë pezullimit 90-ditor, që i është dhënë nga Komiteti i Etikës. Ky është thelbi i asaj që ka komunikuar vetë organizmi më i lartë i futbollit botëror, gjatë kësaj të marte.

Komiteti është mbledhur për herë të parë, pas vendimit për të pezulluar Platininë, Blatterin dhe Valcken, për shkak të një hetimi të ndërmarrë për korrupsion mes krerëve më të lartë të futbollit botëror, dhe ka konfirmuar se zgjedhjet për zëvendësimin e Blatterit do të zhvillohen gjatë një kongresi të jashtëzakonshëm, që do të mbahet në Zyrih më 26 shkurt të vitit të ardhshëm, kur federatat anëtare do të duhet të votojnë edhe për reformimin e statuteve të organizatës.

Njoftimi, fillimisht u duk sikur do t’ia mbyllte dyert Platinisë, duke parë se kandidaturat duhen prezantuar brenda 26 tetorit dhe anëtarët e pezulluar nuk mund të kandidojnë. Por, “nëse zgjedhjet do të ishin shtyrë, do të kishte më shumë kohë në dispozicion të tyre për të prezantuar kandidimin”.

Megjithatë, në një tjetër publikim të mëvonshëm të vetë organizimit, FIFA shpjegon që “në rast se pezullimi do të revokohej pëprara zgjedhjeve presidenciale, Komiteti Zgjedhor do të vendoste se si do të procedohej me kandidaturën në fjalë”.

Gjatë ditëve të fundit, Platini ka konfirmuar se do të dëshironte të kandidonte për Presidencën e FIFA-s dhe se ndihet “i mashtruar, teksa është futur në të njëjtin ‘thes’ me të tjerët”.

Top Channel