BE do të nënshkruajë MSA-në me Kosovën më 27 tetor

20/10/2015 00:00

Bashkimi Europian pritet të nënshkruajë më 27 tetor një marrëveshje me Kosovën, e cila i hap rrugë pranimit të saj në bllok, një lëvizje kjo që shihet si ndihmuese edhe sa i përket afrimit të Serbisë me BE-në. Lajmi është bërë i ditur nga zyrtarë të huaj për agjencinë e lajmeve “Reuters”, ndërkohë që është konfirmuar edhe nga ministri kosovar për Integrimin Europian, Bekim Çollaku, për “KosovaPress” gjatë së martës.

Ndërkohë të mërkurën, ministri i Jashtëm i Sllovakisë, Miroslav Lajçak ka konfirmuar se, nënshkrimi i Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit me Kosovën do të bëhet më 27 tetor.

“Nënshkrimi i Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit me Kosovën, më 27 tetor në Strasburg, është një hap kyç për përforcimin e perspektivës europiane, përkujtues i sfidave të rëndësishme dhe detyrë për reforma”, ka shkruar Lajçak në Twitter.

Megjithatë, kjo lëvizje mund të shkaktojë shqetësime për disa prej vendeve anëtare të Bashkimit Europian, të cilat ende vuajnë prej lëvizjeve të brendshme separatiste, gjë që bëhet shkak edhe për mosnjohjen e pavarësisë së Kosovës. Bëhet fjalë për Spanjën, Qipron, Rumaninë, Greqinë dhe Sllovakinë, të cilat prej afro një dekade që prej mëvetësimit të Kosovës nga Serbia, në vitin 2008, nuk e njohin si shtet të pavarur atë.

Gjithsesi, kjo lëvizje nuk i ka penguar në të kaluarën këto vende, që të japin autorizimet e tyre, që BE-ja të niste negociatat me Kosovën, në mënyrë që të shuheshin tensionet nacionaliste në Ballkan.

Kosova i ka mbyllur bisedimet me BE-në në korrik të vitit 2014 për nënshkrimin e Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit, një hap më tej drejt anëtarësimit eventual në BE, që sjell edhe përfitime të mëdha ekonomike.

Javën e ardhshme, shefja e BE-së për Politikën e Jashtme, Federica Mogherini, si dhe komisioneri i BE-së për Zgjerimin, Johannes Hahn, priten të nënshkruajnë akordin e MSA-së, siç konfirmojnë burime të “Reuters”, ndërsa ajo pritet të hyjë në fuqi vitin e ardhshëm.

“Firmosja e marrëveshjes do të përforcojë perspektivën europiane të Kosovës dhe do të ndihmojë gjithashtu edhe në stabilizimin e brendshëm të saj”, tha një zyrtar i BE-së.

Ky hap pritet të ndërmerret, pavarësisht progresit të çalë të Kosovës në disa prej sektorëve kyçë të politikës. “Sundimi i ligjit në Kosovë, përfshi pavarësinë e gjyqësorit, si dhe rezultatet e kufizuara në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, mbeten ende një shqetësim i madh”, ka bërë të ditur Komisioni Europian në raportin e fundit të tij për Kosovën, një vit më parë.

Hapi i ri i Kosovës drejt anëtarësimit në BE është gjithashtu një çështje shqetësuese edhe për Serbinë, e cila formalisht e njeh ende Kosovën si pjesë të territorit të saj. Për të shuar shqetësimet e serbëve, BE-ja duket e gatshme të bëjë lëshime ndaj Beogradit.

“Kam besim se dy kapitujt e parë me Serbinë – për anëtarësimin në BE, – mund të hapen deri në fund të këtij viti”, tha një zyrtar i lartë i BE-së për “Reuters”. Kapitujt në fjalë kanë të bëjnë me sektorin publik, ku një vend kandidat për anëtarësim në BE duhet të tregojë angazhim dhe rreshtim me rregullat e BE-së përpara se t’i bashkohet bllokut.

Në mënyrë që Serbia t’i bashkohet BE-së, 35 kapitujt që kanë të bëjnë me tema nga të drejtat themelore e deri te çështjet ekonomike, duhen hapur dhe mbyllur me sukses, sigurisht duke siguruar mbështetjen unanime të shteteve anëtare.

Top Channel