Numri i emigrantëve që kanë mbërritur në Greqi këtë vit ka arritur në gjysmë milion, vlerësojnë Kombet e Bashkuara.

Kuota e njerëzve që mbërrijnë në ditë në këtë vend ka arritur në 8 mijë dhe gjasat janë që fluksi të vazhdojë edhe gjatë sezonit të dimrit.

Shumica e emigrantëve më pas drejtohen për në vendet e Europës veriore, por ngushtimi i rrugëve po i detyron ata që të ndjekin shtigjet ballkanase.

Kështu, Sllovenia po përgatitet që të dërgojë ushtrinë në kufirin e saj, pas vërshimit të emigrantëve që vinin nga Kroacia.

Dy vendet vendosën në fundjavë kontrolle të rrepta, por ato u lehtësuan natën mes së hënës dhe së martës, pasi shumë njerëz pritën jashtë në shi dhe erë.

Sllovenia ka deklaruar se numri i refugjatëve që kanë hyrë në vend nga Kroacia në tre ditët e fundit i ka kaluar limitet.

Ministri i brendshëm tha se, mbi 19 mijë e 500 emigrantë kanë mbërritur në vend që prej së premtes, me të paktën 5.090 që kanë kaluar kufirin vetëm të martën. Më herët qeveria në Lubjanë kishte deklaruar se do të pranonte vetëm 2.500 emigrantë në ditë.

Sllovenia i ka bërë thirrje vendeve anëtare të Bashkimit Evropian që të japin ndihmën e tyre për fluksin e refugjatëve me të cilin po përballet.

Top Channel