Papa Françesku me tumor? Vatikani e mohon

21/10/2015 00:00

Papa Françesku ka tumor të parrezikshëm në tru? Jo, Vatikani ka mohuar këtë të mërkurë një raportim të mediave italiane se Ati i Shenjtë vuan nga një sëmundje e tillë.

“Papa po i zhvillon aktivitetet e tij me intensitetin e zakonshëm dhe të lartë. Të përhapësh lajme të pabaza është një papërgjegjshmëri tepër e rëndë dhe nuk meriton aspak vëmendje”, tha zëdhënësi i Vatikanit, At Federico Lombardi, përmes një deklarate.

Gazeta “Quotidiano Nazionale”, një media kombëtare me seli në Italinë qendrore, raportonte në kopertinën e parë të së mërkurës se Ati i Shenjtë 78-vjeçar kishte kryer një fluturim sekret me helikopter drejt një qyteze të vogël toskane “disa kohë më parë”, për t’u vizituar nga një mjek japonez. Bëhet fjalë për një klinikë në Piza dhe për mjekun japonez, profesor doktor Takanori Fukushima, specialist për tumoret në tru.

Gazeta raportonte gjithashtu se Papa argjentinas ishte diagnostikuar me një “njollë të zezë të vogël në tru”, por që ishte e kurueshme dhe jo e rrezikshme për jetën e Atit të Shenjtë.

Nga ana tjetër, duke parashikuar këtë furtunë, drejtori i gazetës shpjegon se lajmin e kanë verifikuar në çdo detaj dhe se botimi i tij i kishte vënë në një udhëkryq.

Sipas drejtorit, “ajo që vlen për një kryetar shteti apo kryeministër, vlen edhe për Papën: përgjegjësia e madhe publike, që ata kanë mbi vete bën, që opinioni publik të ketë të drejtë të jetë i informuar”.

Papa është shfaqur në një gjendje të mirë shëndetësore gjatë muajve të fundit, me përjashtim të një problemi të dukshëm në këmbë, bazuar në faktin që ka vuajtur së fundi nga nervi shiatik, për të cilin ka kryer seanca të rregullta terapie fizike në Vatikan.

Lajmi mbërrin në një çast delikat për Kishën Katolike, pasi ditën e shtunë mbyllet sinodi për familjen, nga i cili priten të dalin vendime të rëndësishme.

Top Channel