Kosovë, tryezë me shoqërinë civile; Osmani: Rrezik për luftë civile

21/10/2015 00:00

Deputetë të Kuvendit të Kosovës dhe përfaqësues të shoqërisë civile vlerësojnë se kriza politike është në prag të shpërthimit të dhunës edhe jashtë institucioneve.

Në një tryezë të organizuar nga shoqëria civile këtë të mërkurë, u bë thirrje që Kuvendi të mos e mbajë seancën e ftuar për të premten, pa gjetur një marrëveshje për krizën, pasi ajo mund të nxisë dhunë.

“Caktimin e seancës për këtë të premte, në orën 16:00, e konsideroj si eksperiment. Në radhë të parë eksperiment me jetët e deputetëve, sepse ata po konsiderohen si minj, me të cilët eksperimentohet sesa mund të thithin gaz lotsjellës, sa mund të durojnë provokime pa u grushtuar me njëri-tjetrin, sa mund të durojnë mjete të tjera, që mund të dalin tashmë në shesh në seancën e radhës, dhe potencialisht po krijohet një ambient për një fundjavë potencialisht të dhunshme mes qytetarëve”, tha Vjosa Osmani, deputete e LDK-së.

Osmani u bëri thirrje ambasadave të vendeve të Kuintit, që përveç rolit koordinues me Presidenten, të përfshihen edhe personalisht për të gjetur zgjidhje në krizën aktuale.

“Unë kam frikë nga dita e premte, nga ajo çfarë mund të ndodhë atë ditë në orën 16. Nuk e di çfarë do të ndodhë, por me siguri, duke e parë çfarë ka ndodhur javëve të kaluara në Kuvend, nuk do të jetë ditë normale. Po çfarë do të jetë? Kush do të marrë përgjegjësi? Kush po merr përgjegjësi për shkaktimin e situatën politike jonormale dhe rritjen e potencialit për dhunë mes shqiptarëve? Askush nuk po dëshiron të marrë përgjegjësi”, tha Ilir Deda, deputet i Vetëvendosjes.

Deda tha se, zgjidhja e vetme për daljen nga kriza aktuale është nxjerrja e ligjit për referendum, përmes të cilit do të pyeteshin qytetarët për marrëveshjet e dala nga dialogu i Brukselit.

Ndërsa analistë politikë fajësuan të gjithë klasën politike, e cila – sipas tyre, – nga arroganca e numrave që kanë në Kuvend këmbëngulin në pozicione të palëvizshme.

Ndërkohë që analisti Dukagjin Gorani vlerëson se, zgjedhjet e paracaktuara për vitin e ardhshëm mund të ishin mundësia më e mirë për daljen nga kriza aktuale, analisti Halil Matoshi fajëson palët për kokëfortësi, e sidomos opozitën e cila – sipas tij, – po bën fushatë të dëmshme.

“Pakica agresive revolucionare në Kosovë, sot e di shumë mirë se, nëse nuk ndalet Asociacioni ka për të pasur luftë në të ardhmen, do të zihen fëmijët tanë apo brezi që vjen pas nesh. Kjo është tepër e ulët dhe një propagandë nga më të zezat, që ka parë historia politike e njerëzimit”, tha Halil Matoshi, analist politik.

Përfaqësuesit e shoqërisë civile në këtë tryezë thanë se, është shumë e dëmshme për qytetarët dhe shtetin, që këto ditë institucionet të mos jenë në funksion të plotë të lobimit për në UNESCO dhe për Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit, por të merren me bllokimin e shtetit.

Top Channel