140 refugjatë zbarkojnë në bazën e forcave ajrore britanike në Qipro

21/10/2015 00:00

Dy varka me plot 140 emigrantë, përfshi këtu edhe fëmijë, kanë mbërritur në bazën e Forcave Ajrore Mbretërore (RAF) të Britanisë së Madhe, në Akrotiri të Qipros. Varkat mbërritën që në orët e para të mëngjesit të së mërkurës, bëri të ditur Ministria britanike e Mbrojtjes.

“Ende nuk e kemi përcaktuar se nga janë ata”, tha një zëdhënës i bazës ajrore. Kjo është hera e parë, të paktën nga sa besohet, gjatë krizës së fundit të emigrantëve në Mesdhe, që njerëz të trafikuar në mënyrë të paligjshme mbërrijnë në një territor sovran të Britanisë së Madhe.

Baza, e cila ndodhet në brigjet jugore të ishullit të Qipros, është përdorur gjithashtu edhe për sulmet ajrore britanike në luftën e koalicionit të udhëhequr prej SHBA-ve kundër luftëtarëve të Shtetit Islamik në Irak.

Ndryshe nga ishujt e shumtë grekë apo edhe ata italianë në Mesdhe, vendi anëtar i Bashkimit Europian, Qipro nuk ka parë deri më sot ndonjë fluks të jashtëzakonshëm refugjatësh. Rreth 600 mijë emigrantë përllogariten të kenë mbërritur në Europë deri më tani gjatë këtij viti.

Ndërkohë, në të kaluarën, kanë qenë vetëm disa kurdë irakenë që besohet të kenë zbritur në bazën e Forcave Ajrore britanike (RAF) në Akrotiri gjatë vitit të largët 1998.

Presidenti i Komisionit Europian, Jean-Claude Juncker ka bërë thirrje për një samit të jashtëzakonshëm të disa prej udhëheqësve të BE-së dhe Ballkanit këtë të diel, për të diskutuar mbi krizën e emigrantëve. Në një deklaratë të së mërkurës, ai shprehet se ka ende “nevojë për një bashkëpunim edhe më të madh, për konsulta më të gjera dhe për veprime operacionale të menjëhershme”.

Top Channel