Ura e vjedhur e Paprit, këmbët duhet të ishin 2 metra nën tokë

21/10/2015 00:00

“Punimet në këtë urë janë bërë pa projektin e duhur. Këmba e urës është lënë në ajër dhe zhavorri është gërryer nga poshtë. Një gjë që ka sjellë dëm të madh në fshatin tonë”.

Kështu deklaruan banorët e zonës së Paprit, një ditë pasi ura që lidh zonën e tyre të banimit u shemb nga vërshimi i ujërave. Këmbët e saj janë gërryer dukshëm, aq sa ka sjellë edhe shembjen e saj.

Por, a ka qenë ky një gabim në projektin e urës së ndërtuar 5 vite më parë. Për të gjetur përgjigjen, në kërkuam projektuesin e urës dhe dokumentet e kolaudimit të saj në fund të punimeve.

Sipas dokumenteve origjinale të ndërtimit të kësaj ure dhe rrugës, janë investuar mbi 15 milionë lekë të reja me TVSH për mallrat dhe punimet. Sipas dokumenteve zyrtare rezulton se janë përdorur mbi dy tonë hekur, nga të cilat 1.7 tonë vetëm për soletën e urës. Janë përdorur tuba çeliku dhe tuba betonarmeje, sigurisht për këmbët. Janë faturuar mbi 136 metër kub beton të profileve të ndryshme, si dhe 640 metër kub zhavorr.

Edhe pse në këtë projekt ishte parashikuar që këmbët e urës së Paprit të kishin një thellësi prej 2 metrash nën tokë, vërshimi i përroit ka nxjerrë në pah një themel që nuk i kalon 50 cm, çka duket se është bërë shkak për shembjen e kësaj ure. Tashmë do të duhet një tjetër investim në miliona lekë, që të mund të garantojë lëvizjen normale të qindra banorëve të kësaj zone.

Por, a janë këto këmbë të gryera të urës dy metra të thellë nën tokë? Këtë gjë banorët e konstatuan që në momentin e ndërtimit të saj dhe i sugjeruan kompanisë zbatuese që të merrte masa.

“Shteti duhet të vlerësojë punimet e asaj firme që e bëri këtë, sepse ajo i mori lekët për të ngritur këmbë të thella, por siç e keni parë edhe ju me kamer, këmba është në ajër dhe e ngrënë nga poshtë”, thotë një banor i zonës.

A janë kryer në rregull punimet e ndërtimit të kësaj ure të shembur? Sipas mbikëqyrësit që ka firmosur e vulosur janë kryer, ndërsa sipas banorëve të zonës jo. Por edhe sipas historisë së kësaj ure të shembur vetëm 5 vite pas krijimit, këto punime nuk janë kryer në rregull.

Në zonë ka disa ura guri ndërtuar shekuj më parë, të cilat nuk janë cënuar aspak nga ujërat e lumit. Ndërsa kjo urë e re kërkon disa milionë lekë të tjera për t’u ribërë. Banorët e zonës pa pritur një reagim nga institucionet, gjetën një zgjidhje. Ata, pa asnjë fond, mbushën pjesën e shembur të urës, që vlen 15 milionë lekë, sepse iu duhet që të kalojnë atje çdo ditë.

Top Channel