UNESCO, sot votohet për rekomandimin e pranimit të Kosovës

21/10/2015 00:00

Këshilli Ekzekutiv i UNESCO-s në Paris pritet të vendosë këtë të mërkurë për rekomandimin, që Kosova të pranohet si anëtare e kësaj organizate. Ky këshill ka 58 anëtarë, 32 prej të cilëve janë përfaqësues të vendeve që e kanë njohur Kosovën, ndërsa rreth njëzet prej tyre e kanë mbështetur kërkesën e Shqipërisë për pranim të Kosovës në UNESCO.

Aplikimi për pranimin e Kosovës në UNESCO është dorëzuar formalisht nga Shqipëria dhe është mbështetur nga 45 vende. Pas votimit të sotëm, nëse Kosova arrin të marrë shumicën e votave, atëherë pranimi do të duhej të ndodhte në seancën e Asamblesë së Përgjithshme të UNESCO-s, e cila do t’i zhvillojë punimet nga data 3 deri më 18 nëntor.

Konferenca e Përgjithshme përbëhet nga përfaqësues të 195 vendeve anëtare. Çdo vend anëtar ka një votë dhe vendimi për pranimin e Kosovës kërkon një shumicë prej dy të tretat e votave.

Ndërkaq, autoritetet kosovare i kanë dorëzuar UNESCO-s garanci me shkrim se në asnjë mënyrë, formë apo trajtë nuk do të ndryshojnë emrin e pronave të Kishës Ortodokse serbe (KOS), që është një kategori kushtetuese e Kosovës dhe riemërtimi i monumenteve të regjistruara në listën e UNESCO-s do të ndryshojë vetëm në konsultim me KOS-in.

Kështu është shprehur zëvendësministri i Jashtëm i Kosovës, Petrit Selimi, në prag të seancës së Këshillit Ekzekutiv të UNESCO-s. Garancitë me shkrim i kanë përshëndetur shumë vende. Ne nuk kemi probleme me kisha e xhami, sepse jemi vend laik progresiv, citohet të ketë thënë Selimi.

KOS – citon gazeta e Beogradit “Danas”, – këmbëngul që garancitë ndërkombëtare të jenë pjesë e marrëveshjeve të Brukselit ndërmjet Kosovës e Serbisë, me ndërmjetësimin e BE-së. Serbia po zhvillon një fushatë negative ndaj pranimit të Kosovës në UNESCO, duke i quajtur kosovarët barbarë dhe duke përdorur mjete të papranueshme.

Top Channel