Netanyahu: Holokaustin nuk e bëri Hitleri. Atij ia propozuan palestinezët

21/10/2015 00:00

Në fjalimin e mbajtur përpara Kongresit botëror të Zionizmit në Izrael, Benjamin Netaniahu u përpoq t’ia shkarkonte palestinezëve fajet e holokaustit, e vala e ashpër e reagimeve që pasuan komentet e kryeministrit izraelit ishte padyshim e pritshme.

“Hitleri, – tha Netaniahu, – donte vetëm t’i dëbonte hebrenjtë; ai që ia çoi ndër mend djegien e tyre ishte myftiu i madh i Jeruzalemit”. Në mbështetje të këtyre pohimeve, shefi i ekzekutivit izraelit ka bërë dhe një përshkrim të detajuar – siç tha, – të takimit mes Haj Amin al-Husseinit dhe Adolf Hitlerit në 1941-shin.

“Hitleri asokohe nuk kërkonte shfarosjen e hebrenjve. Thjesht donte t’i largonte që të gjithë. Atëherë, Haj Amin al-Husseini shkoi tek ai e i tha se ‘po i dëbove, ata do të vijnë që të gjithë këtu, në Palestinë’. Hitleri e pyti se ‘çfarë duhej të bënte me ta?’, ndërsa myftiu i është përgjigjur: Digji!”, u shpreh Benjamin Netaniahu, kryeministër i Izraelit.

Historianët nxituan t’i cilësojnë të pasakta pretendimet e Netaniahut dhe vetë kreu i opozitës në Izrael, Isaac Herzog u shpreh se ato zbehin tmerrin që ishte holokausti, ndërsa për zyrtarin e lartë palestinez, Saeb Erekat, të tilla komente nuk bëjnë gjë tjetër veçse shfajësojnë Adolf Hitlerin.

Mes atyre që vënë në dyshim interpretimin e bërë historisë prej kreut të ekzekutivit hebraik, është profesori Dan Michman, kreu i Institutit ndërkombëtar për Kërkimet e Holokaustit në Yad Vashem.

Michman e pranon se, Hitleri e ka takuar vërtet myftiun, por kjo ndodhi vetëm pasi mekanizmi i asaj që nazistët e quajtën “zgjidhja finale” ishte vënë në lëvizje. Edhe kryehistorianja e Yad Vashemit, Dina Porat bëri një koment për portalin informativ izraelit “Ynet”, ku tha se nuk është aspak e saktë të pretendohet se, idenë e dërgimit të hebrenjve në kremtore, Hitlerit ia dha myftiu i madh.

Duke përdorur të njëjtin argument si Michman, ajo këmbëngul se takimi ka ndodhur shumë më vonë dhe hedh poshtë idenë se al-Husseini sugjeroi shfarosjen e hebrenjve në Europë.

Top Channel