Të lexuarit të bën optimist për jetën, më pak agresiv

21/10/2015 00:00

Kush lexon libra është më optimist për jetën e më pak agresiv. Francesko Petrarka e provonte këtë me veten çdo ditë.

Kur fliste për librat, thoshte se “për mua flasin e këndojnë; janë ata që më zbulojnë sekretet e natyrës, ata që më japin këshilla të vyera për jetën, e ata që me fjalët e tyre kumbuese më largojnë trishtimin si me dorë”.

Poeti i madh italian, gjithashtu një prej figurave më të shquara të Rilindjes europiane, nuk ishte as i pari e as i fundit, që lartësonte fuqitë terapeutike të leximit.

Lista është e mbushur me emra të njohur, ndër të cilët Ciceroni, Kafka, Salinger apo Virginia Woolf, që thoshte se “ndonjëherë mendoj se parajsa gjendet te të lexuarit pa fund”.

Por tanimë, argumenti ka një përforcim shkencor të mbështetur nga shifra konkrete. Leximi – tregojnë statistikat, – ndihmon në përballimin e jetës, duke e bërë më të lehtë. Duke përdorur shkallën “Biswas-Diener”, që mat frekuencën e emocioneve pozitive, kërkuesit zbuluan se ata që lexojnë, treguesin e optimizmit e kanë më të lartë se ata që nuk lexojnë; respektivisht 21,69 përkundrejt 20,93.

Nga ana tjetër, edhe ndjenjat negative i kanë më të pakta, e për rrjedhojë e kanë më të ulët dhe nivelin e agresivitetit apo intolerancës. Shpjegimi është i thjeshtë: leximi ofron instrumenta shumë të vlefshme në përballimin e vështirësive, e në thelb, shifrat flasin vetë.

Kush lexon, e kalon në mënyrë më të pasur kohën e tij të lirë, është kureshtar dhe di të shijojë e të përzgjedhe aktivitetet që e argëtojnë.

Top Channel