Lë qelinë pas 7 muajsh, i sëmuri mendor që u bë terrorist

21/10/2015 00:00

Personi që ishte nga Siria dhe që quhej Abdurraman e pyeti në arabisht hoxhën e fshatit se, ‘sa ushtarë kishte marrë me vete?’. Dhe ai iu pëgjigj se ‘të kam bërë dhuratë dy ushtarë’. Mua më thanë se do të ikja në Siri dhe do të shpërblehesha 200 mijë euro dhe se paratë do të m’i jepnin pas 6 muajsh, kur të kthehesha nga lufta.

Cilido që e dëgjon këtë dëshmi, do të mendojë se bëhet fjalë për çështje terrorizmi, ashtu siç edhe kanë dyshuar prej muajsh policia, Prokuroria e gjykata, sapo kanë depozituar këtë rrëfim implikues.

Deklarata është dhënë nga 18-vjeçari Julian Çela, një person me probleme mendore, që iu dorëzua nga Greqia autoriteteve shqiptare pas tentatives së tij për të kaluar kufirin.

E ndërsa ai është lënë nga Gjykata e Krimeve të Rënda nën masën “arrest me burg” për “pjesëmarrje në veprime luftarake në një shtet të huaj”, e vërteta e tij ka rezultuar krejt ndryshe. Pas dhjetëra personave të pyetur në fshatin Gurëz i Vogël, në Lushnje, si dhe përgjimeve të shumta për dyshimet e terrorizmit, institucionet janë gjetur përballë një të vërtete tjetër.

18-vjeçari vuan nga probleme mendore dhe e ëma thotë se, i biri është frymëzuar nga mediet për të fantazuar.

“Shikonte televizorin dhe thoshte vetë se do të ikte në Siri. Nuk thoshte kurrë nëse i kishte thënë njëri apo nëse do ta çonte dikush”, shprehet Natasha Çela, e ëma e Julian Çelës.

Për shkak të ligjit është parë e domosdoshme të kryheshin veprimet hetimore, si dhe të kryhej ekspertiza mjekësore, që ka vonuar mbi 3 muaj, çfarë ka sjellë edhe mbajtjen në paraburgim të Julianit që prej muajit prill.

“Djali im është 18 vjeç dhe prej kaq vitesh është invalid. Kishte në fakt rreth një vit që thoshte se do të ikte në Siri”, thotë më tej e ëma.

Sapo ka siguruar ekspertizën e Mjekësisë Ligjore, që vërteton se 18-vjeçari vuan nga probleme mendore, si dhe pasi ka parë se, të gjitha veprimet hetimore nuk hedhin hije dyshimi mbi Julian Çelën, Prokuroria ka vendosur pushimin e hetimeve, çfarë do të thotë se 18-vjeçari do të lërë qelinë.

Top Channel