Kosovë, thërritet në polici sekretari organizativ i VV

21/10/2015 00:00

Lëvizja Vetëvendosje përmes një njoftimi për mediat ka bërë të ditur se të mërkurën Policia e Kosovës ka kërkuar sekretarin organizativ të kësaj lëvizje, Dardan Molliqaj.

Sipas Vetëvendosjes, policia e ka kontaktuar dhe i kanë kërkuar Molliqajt që të paraqitet në stacionin policor.

“Këto përndjekje po e dërgojnë vendin drejt tensioneve të reja edhe më të mëdha. Opozita nuk do të heq dorë nga kauza e saj në mbrojtje të sovranitetit shtetëror dhe territorit, në mbrojtje të lirisë, demokracisë dhe barazisë”, thuhet në njoftimin e Vetëvendosjes.

Ndërsa, po të mërkurën, deputetit i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka dorëzuar kallëzim penal kundër zyrtarëve të Policisë së Kosovës, siç thuhet në njoftimin e kësaj lëvizje “për të cilët ekziston dyshimi i bazuar se me arrestimin e tij kanë kryer veprën penale “Privimi i kundërligjshëm i lirisë”, si dhe veprën penale të “Keqpërdorimit të detyrës apo autoritetit zyrtar”, apo vepër tjetër penale e cila ndiqet zyrtarisht nga Prokurori i Shtetit.

Kallëzimi penal është dorëzuar në Prokurorinë Themelore në Prishtinë dhe në Prokurorinë e Shtetit, ku janë bashkangjitur edhe provat e këtij kallëzimi.

Top Channel