Vriten dy diplomatë kinezë në Filipine, plagoset një i tretë

21/10/2015 17:15

Dy diplomatë kinezë janë vrarë dhe një i tretë është plagosur këtë të mërkurë në Filipine, pasi një grua e armatosur hapi zjarr në një restorant në qytetin Cebu.

Zv.konsulli dhe oficeri i financave në konsullatë mbetën të vrarë, ndërsa konsulli i përgjithshëm i plagosur.

Ky i fundit ndodhet në spital, bëjnë të ditur autoritetet lokale, të cilat shtojnë se dy shtetas kinezë, një burrë dhe një grua, janë arrestuar lidhur me ngjarjen.

“Aktualisht po përpiqemi të përcaktojmë motivet e atentatit. Kemi të dyshuarit, por na duhet një përkthyes për t’i marrë në pyetje”, deklaroi një zyrtar i policisë.

Nga të dhënat e para rezulton se, gruaja e arrestuar punonte në Konsullatën Kineze dhe se arma e krimit është sekuestruar tashmë nga policia.

Ndërsa nga dëshmitë e mbledhura rezulton se, ngjarja ka ndodhur në një dhomë të rezervuar të restorantit, që frekuentohet shpesh nga politikanët.

Një zëdhënëse e Ambasadës Kineze në Manila ka deklaruar se ende nuk mund ta komentojë ngjarjen. “Ambasada jonë po verifikon faktet dhe do t’ju vëmë në dijeni sapo të kemi diçka të re”, ka thënë Li Lingxiao.

Edhe zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme filipinase, Charles Jose, ka refuzuar të bëjë komente.

Top Channel