Rezoluta për zgjedhjet, KiE: Rekomandimet, udhërrëfyes për Shqipërinë

21/10/2015 00:00

Kongresi i Autoriteteve Vendore dhe Rajonale në Këshillin e Europës miratoi rezolutën për zgjedhjet e 21 qershorit 2015 në Shqipëri, bazuar në draftin e hartuar nga raportuesi britanik Stewart Dickson dhe vlerësimet e Declan McDonnell, përfaqësuesit irlandez të Komitetit të Rajoneve, pjesëmarrës në misionin vëzhgues.

“Ajo që mund të them për Shqipërinë është e ndryshme dhe e pazakontë. Aspekti i parë i çuditshëm për treguesit e mi të misionit në Shqipëri ishte që një vend me 2.8 milionë banorë ka për votime 3.2 milionë të regjistruar. 50% e këtij numri votoi dhe kjo do të thotë se mbase kanë votuar 70% e atyre që banojnë në Shqipëri”, deklaroi McDonnell.

Ai i quajti “aspak demokratike” vendimet e KQZ-së për çështjet mbi të cilat ishte shprehur gjykata më parë, privimin e personave me aftësi të kufizuara për të votuar në të gjitha qëndrat zgjedhore të vizituara prej tij, ndërsa gara sipas tij ishte e pabarabartë për kandidatët e pavarur, të cilët nuk patën financime si partitë nga buxheti i shtetit.

Ndërsa raportuesi Dickson përgëzoi autoritetet shqiptare për organizimin e zgjedhjeve sipas ndarjes së re administrative territoriale, por përmendi shqetësimet e opozitës dhe pretendimet për rryshfet e blerje vote.

“Vëzhguesit e Kongresit dëgjuan gjithashtu pretendime për intimidim dhe presion mbi punonjësit e sektorit publik. Ne u vumë në dijeni për blerjen potenciale të votës dhe rryshfeteve ndaj anëtarëve të komisioneve zgjedhore. Të gjitha këto janë praktika të papranueshme dhe autoritetet shqiptare nuk duhet të hezitojnë për të hetuar të gjitha rastet potenciale të mashtrimit”, deklaroi Dickson.

Në emër të delegacionit shqiptar, kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj u zotua në këtë seancë për ndjekjen e rekomandimeve të Strazburgut, veçanërisht për parregullësitë e vërejtura.

Por Veliaj u shpreh i kënaqur me gjetjet e raportit për “progres në krahasim me zgjedhjet e 2013-s”, për një fushatë të civilizuar elektorale, për pjekurinë e votuesve, për faktin që dita zgjedhore dhe procesi numërues u konsiderua i rregullt, dhe se për herë të parë, me këto zgjedhje Shqipëria plotësoi kriterin e ri për pjesëmarrjen 50% të kandidateve femra për këshillat bashkiakë”.

“Misioni vëzhgues ka bërë një punë të shkëlqyer në evidentimin e fushave ku është arritur progres, por gjithashtu në evidentimin e fushave që mbeten shqetësuese, për çështjet që duhen trajtuar dhe parregullësitë që duhen korrigjuar. Këto të fundit, në fakt, janë për ne pjesa më e rëndësishme e raportit, sepse do të shërbejnë si bazë për përmirësime të mëtejshme dhe për rregullimin e të gjithë procesit zgjedhor në Shqipëri. Rekomandimet e Kongresit do të shërbejnë si udhërrëfyes për autoritetet shqiptare dhe si kryetar i delegacionit, unë zotohem për të ndjekur këtë punë në çdo hap”, deklaroi Veliaj.

Sesioni i 29 plenar i Kongresit të Autoriteteve Vendore dhe Rajonale përkon me 30-vjetorin e Kartës Europiane të Vetëqeverisjes Lokale, e ratifikuar 17 vite më parë nga Shqipëria. Strazburgu njofton se pas 3 ditësh në Vlorë do të mbahet ceremonia e hapjes për Agjencinë e Demokracisë Lokale.

Top Channel