Ministria e Jashtme përshëndet vendimin e Këshillit Ekzekutiv të UNESCO-s

21/10/2015 18:50

Ministria e Jashtme e Shqipërisë ka përshëndetur vendimin e Këshillit Ekzekutiv të UNESCO-s që vendosi t’i rekomandojë Konferencës së Përgjithshme kërkesën për anëtarësimin e Kosovës në këtë organizatë.

“Republika e Shqipërisë mbështet plotësisht anëtarësimin e Kosovës në UNESCO dhe i uron asaj suksese edhe në votimin që do të zhvillohet në fillim të muajit nëntor, në Konferencën e Përgjithshme të kësaj organizate”, lexohet në komunikatën e MPJ-së.

“Mbështetja e kërkesës se Kosovës për anëtarësim në UNESCO nga Këshilli Ekzekutiv është tregues i angazhimit konkret të partnerëve tanë strategjikë për ta bërë Kosovën pjesë të UNESCO-s, të kësaj agjencie të rëndësishme të OKB-së, që trajton dhe mbron vlera të veçanta te arsimit, shkencës dhe trashëgimisë kulturore ndërkombëtare. Mbështetja e Kosovës nga Konferenca e Përgjithshme do të përbente një mesazh inkurajues për procesin e normalizimit të mëtejshëm të marrëdhënieve në rajonin tonë”, shton më tej komunikata.

Top Channel