Kosovë, Visar Ymeri: Qeveria po na provokon

21/10/2015 19:45

Opozita në Kosovë tashmë e ka përgatitur skenarin për ta parandaluar seancën e Kuvendit të Kosovës këtë të premte. Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Visar Ymeri e quan provokim nga ana e kryesisë së Kuvendit vazhdimin e seancave.

Në një intervistë për Top Channel, ai tha se normalizimi i punës së institucioneve nënkupton normalizim të asociacionit të komunave me shumicë serbe dhe kjo, sipas tij, nuk do të lejohet të ndodhë.

“Me këto thirrje që po i bëhet seancave nga koalicioni seancave, ata po duan që ta provokojnë situatën dhe ta përshkallëzojnë atë. Ne natyrisht në protestën tonë do të jemi të vendosur dhe do t’i pengojmë ata në realizimin e këtij plani të tyre të kontrabandimit të normalitetit në institucione, në një situatë kur Kosova si republikë dhe si shtet është në gjendje të jashtëzakonshme”, tha Ymeri.

I pyetur nëse do të ketë sërish gaz lotsjellës, ai u përgjigj: Ne do t’i përdorim mjetet që i kemi në dispozicion brenda sallës së Kuvendit në mënyrë që ta parandalojmë normalizimin e Kuvendit.

Duke folur një ditë pas takimit me presidenten, nga ku opozita doli e zhgënjyer, Ymeri kritikoi të parën e shtetit për pozicion jo neutral ndaj problemeve të ngritura.

“Pra, kur Presidentja refuzon të ndërmarrë hapa në drejtim të tërheqjes së marrëveshjes, por nga ana tjetër do që të kërkojë nga opozita të heqin dorë nga pozicionet e tyre, unë mendoj që kjo e bën Presidenten të njëanshme në këtë situatë. Nuk duhet të harrojmë që këto marrëveshje i kanë kundërshtuar edhe mbi 200 mijë qytetarë, pra këtu po flasim për një refuzim kategorik që po iu bëhet këtyre marrëveshjeve”, u shpreh kreu i VV.

Sa i përket peticionit të nënshkruar,  por edhe inicimit të ligjit për  referendum, një ide kjo që po qarkullon së fundi, kreu i Vetëvendosjes tha se i takon qeverisë t’i gjejë vetë mënyrat për të dalë nga këto marrëveshje duke përmendur si mundësi referendumin qytetar.

“Kur ta përfundojmë peticionin normalisht që atë do ta dorëzojmë në të gjitha institucionet relevante për këtë çështje, përfshi edhe në institucione jashtë Kosovës, sepse me këtë dëshmojnë kundërshtimin. Sa i përket referendumit, kjo ide është folur disa herë, por natyrisht është qeveri e Kosovës si ekzekutiv dhe si aktori kryesor dhe i vetem që ka marrë vendim për të nënshkruar një marrëveshje të tillë, ti propozojë modalitetet e gjetjes nga ajo, referendumi është njëra prej tyre”.

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje komentoi edhe mbi thirrjet e vazhdueshme të ndërkombëtarëve kundër dhunës dhe aktiviteteve të tjera që paralizojnë  punën e institucioneve të Kosovës.

“Mendoj që ajo që po kërkohet nga Kosova sot, zbatimi i marrëveshjes, themelimi i “Zajednicës”, janë elementë të papranueshme për Republikën e Kosovës sepse e ridefinojnë këtë Republikë drejt zhdukjes së saj. Unë mendoj që nuk ka gjë më të dhunshme ndaj qytetarëve të republikës, të cilët kanë qenë subjekt i dhunës së shfrenuar të Serbisë gjatë kohës së Milosheviçit. Tani ta ushtrojnë edhe një dhunë në të cilën do t’u cungohet edhe territori e në anën tjetër do t’u cungohet edhe sovraniteti shtetëror”, përfundoi Ymeri.

Top Channel